Kontrabandë me veshje luksoze, në pranga babai, procedohet djali

Tiranë/Publik.al – Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të kontrabandës me mallra të markave të njohura, në kuadër të operacionit të koduar “Label Hunt”. Në pranga ka përfunduar një 48-vjeçar me inicialet S. Ç., ndërsa djali i tij 20-vjeçar, E. Ç., është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Operacioni u organizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, dhe kishte në fokus goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e kontrabandës së mallrave.

Sipas Policisë, mjeti i ndaluar në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, me drejtues S. Ç. dhe pasagjer djalin e tij, u kontrollua nga forcat e rendit. Brenda automjetit u zbuluan mallra të ndryshme – kryesisht veshje dhe çanta të markave të njohura – me një vlerë të përgjithshme prej rreth 25 mijë euro, që dyshohet se janë futur në mënyrë të paligjshme në vend.

Verifikimet zbuluan se mallrat e kontrabanduara do të përdoreshin për furnizimin e një subjekti tregtar në pronësi të familjes në qytetin e Elbasanit. Sasia e mallrave dhe vetë automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.

Kontrabanda e mallrave luksoze vazhdon të jetë një sfidë për autoritetet, ndërkohë që Policia dhe Prokuroria njoftojnë se hetimet do të thellohen për të zbuluar burimet e mallrave dhe rrjetin e shpërndarjes së tyre në treg.

Publikuar nga Publik Media