Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të Durrësit. Gjatë operacionit, janë sekuestruar 8 telefona celularë të futur në mënyrë të jashtëligjshme brenda ambienteve të burgut.
Kontrolli është kryer nga strukturat e sigurisë së Drejtorisë së Burgjeve në kuadër të masave për forcoimin e rendit dhe disiplinës në institucionet penitenciare. Ende nuk është bërë e ditur nëse telefonat janë gjetur në posedim të të dënuarve apo të paraburgosurve, apo në ambiente të tjera të burgut.
Burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se do të ketë hetime të mëtejshme për të identifikuar mënyrën se si janë futur telefonat dhe përgjegjësit e mundshëm brenda stafit apo vizitorëve.
Ky nuk është rasti i parë kur në burgjet shqiptare zbulohen paisje të ndaluara, çka ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe mbikëqyrjen efektive në institucionet e vuajtjes së dënimit.