Korrupsion në shkollën e Policisë së Shtetit

Ilirjan Mandro i Akademisë u blen studentëve atlete false nga Vietnami, 50 MLN lekë Gentian Sadikut

Korrupsioni ka prekur zemrën e Policisë së Shtetit, duke përfshirë abuzime me tenderat e uniformave, ushqimeve, dietave dhe karburantit, si dhe me fondet e caktuara për Akademinë e Sigurisë. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), situata ka arritur nivele alarmante, duke kërkuar shkarkimin e rektorit të Akademisë, Ilirjan Mandro.

Kërkesa për shkarkimin e Rektorit të Akademisë së Sigurisë

Raporti përfundimtar i KLSH-së, firmosur nga kryetari Arben Shehu, kërkon nga Ministri i Brendshëm marrjen e masave të menjëhershme për shkarkimin e Mandros. Sipas këtij dokumenti, shkeljet e konstatuara përfshijnë përdorimin e fondeve publike pa ekonomicitet dhe efektivitet, si dhe dështimin në përmbushjen e objektivave të Akademisë së Sigurisë.

Tenderat e dyshimtë: Uniforma me origjinë të falsifikuar

Një nga abuzimet më flagrante të evidentuara në raport është tenderi për uniformat e Akademisë së Sigurisë. Fillimisht, tenderi me një fond limit prej 2,989,540 lekësh (pa TVSH) u anulua më 31 janar 2022, me arsyetimin se “nuk ishte paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme”. Në maj 2022, tenderi u rishpall, duke e fituar Gentjan Sadiku me një ofertë prej 2,822,620 lekësh. Megjithatë, gjatë zbatimit të kontratës, u zbulua se uniformat, që supozohej të ishin prodhuar në Irlandë, në fakt vinin nga Vietnami.

Mashtrimi me cilësinë e uniformave

Operatori ekonomik fitues kishte deklaruar në ofertën e tij se mallrat do të ishin të prodhuara nga kompania “P.” Ltd me origjinë në Irlandë. Në realitet, produktet ishin të prodhuara në Vietnam dhe mungonte certifikata e origjinës. Për më tepër, gjatë auditimit u evidentua se uniformat nuk përputheshin me specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë. Komisioni i marrjes në dorëzim të tyre, megjithatë, i kishte miratuar si të rregullta, duke ngritur dyshime të forta për manipulim dhe falsifikim dokumentesh.

Tenderi për atletet: skema e njëjtë e mashtrimit

Një tjetër tender i dyshimtë i përfshirë në raportin e KLSH-së lidhet me blerjen e atleteve për Akademinë e Sigurisë, me një vlerë totale prej 1,969,408 lekësh. Edhe në këtë rast, kontrata u fitua nga i njëjti operator, Gentjan Sadiku. Në ofertën e paraqitur, ai kishte deklaruar se produktet ishin të prodhuara në Irlandë, por në fakt, atletet ishin të prodhuara në Vietnam dhe nuk kishin certifikatë konformiteti CE.

Tenderi ka qenë fiktiv sepse njëri nga pjesëmarrësit e kishte ofertën zero lekë dhe praktikisht procedura është zhvilluar me një pjesëmarrës.

Megjithatë, sipas KLSH, mashtrimet kanë ndodhur gjatë zbatimit të kontratës. Operatori ekonomik fitues ka deklaruar në ofertën e paraqitur në tender se mallrat do të jenë të prodhuara nga subjekti “P.” Ltd me vend origjinë në Irlandë me distributor për shitjen e tyre nga kompania “E.” SHPK. Zbatimi i kësaj kontrate është realizuar nëpërmjet dy furnizimeve, të datave 28.12.2022 dhe 30.10.2023, respektivisht për furnizimin me 250 kostume dimërore dhe 250 kostume verore në vlerën prej 988,500 lekë dhe të 330 kostumeve dimërore në vlerën prej 831,600 lekë. Nga shqyrtimi i marrjes në dorëzim të mallrave dhe ekzaminimi i mallrave gjendje në magazinë është evidentuar se nuk janë në përputhje me specifikimet teknike dhe kriteret e vlerësimit.

Ndërkohë që nga Komisioni i marrjes në dorëzim të tyre është cilësuar se: “Mallrat e dorëzuara nga OE janë konform specifikimeve të kërkuara”.

Vihet re mospërputhja e specifikimeve teknike ka konsistuar në: përbërjen e materialit; dizajnin dhe mënyrën e paketimit, si dhe mallrat furnizuara nuk janë të prodhuara nga “P.” Ltd me vend origjinë në Irlande (Industrial Park, W. I), kjo e vërtetuar edhe nga mungesa e certifikatës së origjinës së mallit.

Nga auditimi i zbatimit te kontratës me nr. 24/1 datë 12.12.2022 me objekt “Për blerje uniformash dhe elementesh të tjerë përbërës të tyre për AS” në vlerë totale 3,387,144 lekë (përfshirë TVSH)  lidhur mes Akademisë së Sigurisë dhe operatorit Gentian Sadiku (person fizik) të procedurës së prokurimit të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara u konstatua se ai ka deklaruar tբ tjera informacione në ofertën e tij. Në letra, Gentian Sadiku është angazhuar që mallrat do të jenë të prodhuara nga subjekti “P.” Ltd me vende origjinë në Irlandë. Bashkëlidhur kontratës janë lëshuar dhe deklaratat e Tipit të BE-së për konformitetin e produkteve, ku është cituar se produktet të cilat do të vihen në dispozicion janë konform kërkesave thelbësore të sigurisë dhe shëndetit të rregullores PPE(BE) 2016/425. Në deklaratë është cituar se janë prodhuar sipas standardeve më të larta duke përdorur komponentë të cilësisë së lartë. Në deklaratë janë të paraqitur dhe mostrat e uniformës që do të prodhohen.

Deklaratat janë hartuar në P., I. Industrial park, W. I. me datën 28.01.2022.

Nga Akademia janë marrë dy furnizime: Nga komisioni i marrjes në dorëzim ngritur me urdhër të rektorit u konstatua se: Në procesverbalin e marrjes në dorëzim është cituar se mallrat e dorëzuara nga janë konform specifikimeve të kërkuara. Nga operatori Gentian Sadiku janë dorëzuar fletët e analizës së testimit, të cilat janë kryer më 22 dhjetor 2022, të cilat janë përdorur për të gjithë furnizimet që janë sjellë në Akademinë e Sigurisë.

Por mallrat mbi të cilët është bërë analiza e testimit, nuk janë në dispozicion dhe nuk ka gjurmë se mbi cilin produkt është bërë prova. Nga verifikimi në vend i mostrave të produkteve të marra në dorëzim u konstatua se: Paketimi i tyre nuk ishte sipas specifikimeve të kërkuara në kontratë, pasi ato ishin të paketuara në ambalazh qese, mbi të cilën nuk kishte asnjë shënim për përmasat, modeli dhe emri i firmës prodhuese me te dhëna te shkurtuara. Dizajni nuk ishte sipas specifikimeve teknike.

Në etiketa ishte e shënuar emri i kompanisë J. C., si dhe vendi i prodhimit Shqipëri (Made in Albania). Pra, produktet e sjella janë në kundërshtim me ofertën e paraqitur nga operatori ekonomik fitues pasi është deklaruar se mallrat do të jenë të prodhuara nga “P.” Ltd me vend origjinë në Irlande. Nga ana tjetër, etiketimi i bluzave me emrin e tregtar J. C. e cila nuk është prodhuese sipas ekstraktit në QKB është në kundërshtim me dokumentet e dorëzuar në tender.

Sipas ligjit, “Autoriteti ose enti kontraktor ka detyrimin të ndjekë zbatimin e kontratës sipas kushteve në bazë të të cilave është nënshkruar, për të garantuar se ajo zbatohet në kohën, cilësinë dhe vlerën e përcaktuar”.

Nga auditimi i zbatimit të kontratës së datës 8 prill 2022 me objekt “Për blerje këpucë, atlete sportive” në vlerë totale 1,969,408 lekë, ku sërish operator fitues është Gentian Sadiku, ka deklaruar në ofertën e paraqitur ne tender se mallrat do të jenë të prodhuara nga subjekti “P.” Ltd me vend origjinë në Irlandë.

Zbatimi i kësaj kontrate është realizuar nëpërmjet tre furnizimeve, përkatësisht: Me datën 15 prill 2022 për furnizimin me 172 këpucë atlete në vlerën 445,824 lekë; me datën 9 dhjetor 2022 për furnizimin me 217 këpucë atlete në vlerën prej 554,176 lekë dhe me datën 24 tetor 2023 për furnizimin me 374 këpuce atlete në vlerën prej 831,600 lekë. Nga shqyrtimi i marrjes në dorëzim të mallrave dhe ekzaminimi i mallrave gjendje në magazinë është evidentuar se nuk janë në përputhje me specifikimet teknike dhe kriteret e vlerësimit, ndërkohë që nga Komisioni i marrjes në dorëzim të tyre është cilësuar se: “Mallrat e dorëzuara nga OE janë konform specifikimeve të kërkuara”.

Grupi i auditimit zbuloi mospërputhjen e specifikimeve teknike që konsiston në: dizajnin, mënyrën e paketimit, si dhe mallrat furnizuara nuk janë të prodhuara nga “P.” Ltd me vend origjinë në Irlande, pasi atletet kishin të shënuar prodhimin Made in Vietnam, si dhe nuk kishte asnjë certifikatë të konformitetit CE.

E habitshme se si mund të shkelet ligji ka hapur në një institucionin ku formohet elita e Policisë së Shtetit. Për më tepër, rektori nuk kishte pse të merrej me tendera kur rregullorja dhe ligji i arsimit të lartë nuk e autorizon të bëjë prokurime.

Pse duhet të ndërhyhet urgjentisht?

Raporti i KLSH-së ka zbuluar një rrjet të sofistikuar mashtrimi brenda Akademisë së Sigurisë, ku tenderat fiktivë dhe falsifikimet e dokumenteve janë bërë normë. Kjo situatë është një alarm serioz për integritetin e institucioneve të sigurisë në Shqipëri.

Në një vend ku rendi dhe siguria duhet të mbrohen nga institucionet shtetërore, është e papranueshme që vetë këto institucione të përfshihen në skandale korruptive. Rektori i Akademisë së Sigurisë nuk ka pasur asnjë kompetencë për të ndërmarrë prokurime, por ka përdorur pozicionin e tij për të manipuluar proceset financiare. Për këtë arsye, kërkesa e KLSH-së për shkarkimin e tij është mëse e justifikuar.

Korrupsioni në Policinë e Shtetit dhe Akademinë e Sigurisë është një kërcënim serioz për rendin publik dhe sigurinë kombëtare.  Hetimet duhet të thellohen dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e rënda financiare dhe institucionale që kanë tronditur një nga segmentet më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Publikuar nga Publik Media