Afrim Krasniqi
Drejt një rendi të ri botëror? Fundi apo krizë e demokracisë liberale? Fuqia ekonomike e ushtarake si kriter dominues? Histori që përsëritet? Paktet jopublike si zgjidhje? Besimi midis liderëve si bazë e raporteve midis fuqive? Legjitimiteti dhe e drejta për vendime? Sfidat dhe prioritetet e shteteve / kombeve?
Në Shqipëri nuk diskutohen tema të tilla. Ne kemi mbetur aty ku nisi në tetor 2000, te burri që partia dërgoi në Paris për specializim në regjimin e parë dhe burri tjetër që Partia mori nga rrugët e Parisit për ta bërë ministër në regjimin e dytë. Por bota e hapur tej nesh diskuton, mediat kryesore perëndimore kanë tema të tjera. Si këta më lart. SHBA dhe Rusia kanë nisur diskutimet, Ukraina mban frymën dhe Europa e sheh veten jashtë vendimmarrjes.
Ndikim për ne? Në aspektin gjeopolitik jo. As në Jaltë nuk ishim pjesë e listës që ndau Europën dhe vendosi rendin e ri botëror. Atë diktatorin që na konsideroi ushqim që nëse e do ish fqinji verior mund të na gëlltiste me një kafshatë ne e bëmë hero kombëtar, i ngritëm buste më të mëdha se të Skënderbeut dhe ende edhe sot në Tiranë kemi një lagje me emërtim ditëlindjen e tij.
Në aspektin e interesave shtetërorë po. Në dy rrafshe. Kosova dhe demokracia funksionale. Kosova është shtet i brishtë, nën kërcënim permanent dhe ka nevojë jetike për SHBA dhe Perëndim. Demokracia funksionale? Në kohë të turbullta liderit autoritaristë keqpërdorin pushtetin dhe përmes retorikës populiste e njësojnë veten me shtetin e kombin, krijojnë armiq imagjinar, dobësojnë institucionet dhe forcojnë kultin e individit. Siç edhe po ndodh tek ne. Shqipëria ka nevojë për institucione, shtet ligjor dhe demokraci funksionale dhe jo për liderë të fortë, parti të forta dhe “të fortë” në parlament e qeverisje.
Lajm i mirë kur liderit botërorë takohen dhe pjesë e vendimeve është shteti që ne e konsiderojmë edhe zyrtarisht aleatin kryesor strategjik. Lajm i mirë kur bisedimet parandalojnë ose mbyllin konflikte ndërshtetërore. Por lajmet politike gjithnjë kanë dy anë. Nga historia kemi mësuar se jopublikja, ana e dytë, mund të ketë më shumë impakt se publikja, ajo që shihet dhe lexohet. Le të shpresojmë se në kohën kur bota kërkon një rend të ri, vlerat e demokracisë dhe konceptet e të drejtës të jenë standard dominues.
Le të shpresojmë se gjithashtu Kosova të ketë lajme të mira më 2025. Sepse në Shqipëri koha dhe ora kanë ngelur dhe vendi i ngjan një filmi bardh e zi të riparë qindra herë. Kështu pritet të jetë edhe 2025.