Celibashi s’e nda Smartmatic-un: Kontrata të dyshimta, hetime nga SPAK dhe paralajmërime nga KLSH
Megjithëse nën hetim nga SPAK për dy tendera pa garë me vlerë mbi 21 milionë euro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të favorizojë kompaninë e huaj Smartmatic International Holding B.V., duke i dhënë një tjetër kontratë në mënyrë të fshehtë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore të 2025.
Një dokument i siguruar nga Publik.al tregon se më 14 mars 2025, KQZ nisi një tender me procedurë të mbyllur dhe pa shpallje paraprake, për “shërbime të suportit dhe përditësime për votimin elektronik” për zgjedhjet e 11 majit. Vetëm një muaj më vonë, më 14 prill, fituesi u shpall: sërish Smartmatic, kompania e njëjtë që është nën hetim për tenderat e mëparshëm.
Kontrata u mbajt e fshehtë dhe u publikua vetëm më 12 maj, një ditë pas votimeve. Fillimisht fondi limit ishte 110 milionë lekë pa TVSH, por pas “negociimit”, çmimi përfundimtar u ngrit në mbi 125 milionë lekë me TVSH.
Tenderi i dyshimtë i minutës së fundit
Ky tender u zhvillua nëpërmjet nenit 47 të Ligjit për Prokurimet, konkretisht pika 1/c, që lejon tenderime të menjëhershme në raste të “nevojës ekstreme” të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme. Por siç thekson edhe vetë ligji, një nevojë e tillë nuk mund të krijohet nga paaftësia apo vonesa e vetë autoritetit kontraktor – në këtë rast, KQZ.
Pra, nuk ka asnjë arsye ligjore të vlefshme përse Celibashi nuk e nisi procedurën më herët për të shmangur “urgjencën”. Përkundrazi, gjithçka tregon se procedura u ndërtua me qëllim shmangien e konkurrencës dhe mbajtjen e kontratës larg syve të publikut.
KLSH paralajmëron për problemet e Smartmatic
Në një raport auditimi të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në korrik 2024, u zbuluan një sërë problematikash në funksionimin e pajisjeve elektronike të votimit dhe identifikimit të ofruara nga Smartmatic.
Mes tyre:
- Votim i dyfishtë: në 43 raste u identifikuan votues me ID të njëjta në qendra të ndryshme.
- Votim familjar: në 213 raste u gjetën nënshkrime të njëjta për ID të ndryshme.
- Mungesë e leximit biometrik: për 5% të votuesve (rreth 75,000 qytetarë) nuk u regjistrua gjurmë gishti dhe identifikimi u bë manualisht.
- Gabime në software: një nga arsyet e mosfunksionimit ishte instalimi i pasaktë i versionit të aplikacionit për zgjedhjet, siç rezulton nga urdhri i KQZ nr.78 datë 16.05.2023.
Përkundër gjithë këtyre mangësive, KQZ nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanisë, por përkundrazi, e ka shpërblyer me kontrata të reja dhe të dyshimta.
SPAK heton dy tendera pa garë
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin për dy tendera me vlerë totale 21 milionë dollarë që KQZ ia dha Smartmatic gjatë viteve 2020–2021.
Tenderat përfshijnë:
- Sistemet për identifikimin biometrik të votuesve – me vlerë 2,016,354,628 lekë pa TVSH.
- Sistemet për votimin dhe numërimin elektronik – me vlerë 99,424,460 lekë pa TVSH.
Të dy procedurat janë zhvilluar me negocim të drejtpërdrejtë dhe Smartmatic ishte e vetmja kompani që paraqiti ofertë. SPAK ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin dhe ka konfirmuar se po heton edhe lidhjet e mundshme me zyrtarë të KQZ.
Smartmatic e përfshirë në afera korruptive ndërkombëtare
Vetëm pak muaj më parë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë paditi themeluesit e Smartmatic, Roger Alejandro Pinate Martinez dhe Jorge Miguel Vasquez, për pagesa ryshfeti ndaj ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Filipine, në këmbim të kontratave për blerje pajisjesh.
Sipas aktakuzës, kompania përdori fatura të fryra dhe kontrata false për të mbuluar ryshfetin prej 1 milion dollarësh. Paratë më pas u pastruan përmes bankave në Azi, Europë dhe SHBA.
Pyetja që lind natyrshëm…
Pse vijon Ilirjan Celibashi të favorizojë një kompani nën hetim nga SPAK dhe e përfshirë në skandale ndërkombëtare?