Kreu i ri i SPAK, Shehaj ‘zbulon’ arsyen e prezencës së ndërkombëtarëve

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, u ndal te mbledhja e sotme e KLP-së, duke theksuar se përfaqësues të trupit diplomatik kanë qenë të pranishëm për të monitoruar procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK. Sipas tij, prania e tyre lidhet me frikën se mazhoranca mund të ndërhyjë për të “kapur” drejtimin e institucionit.

Duke iu rikthyer kërkesës që ka bërë për interpelancë me kryeministrin Rama, Shehaj theksoi se ajo nuk duhet të zhvillohet nëse kryeministri mungon.

“Po vendoset drejtuesi i ri i SPAK dhe ndërkohë aty janë mbledhur ambasadorët, ndërsa gazetarët nuk lejohen të hyjnë. Kanë frikë se mos e rrëmbeni edhe kreun e SPAK. Shikoni çfarë situate, çfarë presioni po i bëjnë ambasadorët mazhorancës,” tha ai.

Shehaj iu drejtua edhe kolegëve të opozitës, duke aluduar se mazhoranca po luan të njëjtën lojë që ka aplikuar më herët edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Ai nguli këmbë se interpelanca duhet të zhvillohet vetëm në praninë e kryeministrit: “E kam kërkuar interpelancën dhe më thatë se është sot. Pyetja ime ishte e thjeshtë: A do jetë kryeministri? Nëse jo, kërkoj shtyrjen e saj. Rregullorja është shumë e qartë — interpelanca kërkohet me kryeministrin apo ministrin përkatës. Ç’kuptim ka të kërkoj llogari nga kryeministri dhe të më dalë ministri në vend të tij? Madje ministrja Koçiu më tha që, po të kisha problem, ta merrja në telefon,” u shpreh Shehaj.

Publikuar nga Publik Media