Naim Noka
E nisi me Dajre dhe premtime përrallore në 2013-ën, me lule e piktura, me fjalë të mëdha e me tymnajë të hollë. Populli, i lodhur nga rrëmuja e paraardhësve, tha: “Hajde ta provojmë edhe këtë djalë të gjatë, ndoshta nuk është aq bosh sa duket!”
Pastaj edhe pse nuk ka ngarë as makinë në jetë mendoi se është ai i ardhur nga lart si Timonieri i Madh në 2017-ën, duke i hequr bashkëqeverisjes shanset e fundit për të thënë ndonjë fjalë. Nga momenti që gazetari Çani ja dha timonin, populli e vulosi me vota, dhe makina shtetërore u nis me shpejtësinë e një biçiklete pa rrota. Premtimet e mëdha u bënë meme, ndërsa reformat ishin si një film horror, por pa skenar.
Nuk mjaftuan katër vite plot meme por në 2021-in, shfaqja ndryshoi: u fut Tepsia në lojë! U mbush me njerëz të Partisë, të afërm, miq e shokë, ndërsa qytetarët u lanë me lugën bosh në dorë. “Reforma në drejtësi” u kthye në një reality show ku një dorë lan tjetrën, por të dyja zhyteshin në baltë.
Dhe tani, në 2025-ën, djali i gjatë është plakur dhe matufepsur duke u munduar për popullin plot 12 vite. Tani që gjysmën e mëkëmbësve i ka në burg dhe situata ekonomike është ku thërret qameti, për popullin duhet ndryshuar fabula “Bufi dhe Këneta”. Bufat nuk shohin ditën, por shohin natën, si ai që drejton vendin – i shfaqet realiteti vetëm kur mbaron propaganda. Këneta është Shqipëria, e zhytur në ujëra të zeza korrupsioni, ku zhytësit profesionistë dalin gjithmonë të thatë, ndërsa populli mbytet çdo ditë e më shumë në varfëri.
Por prit… Mos kujto se në këtë kënetë ka vetëm një batakçi! Opozita? Një tufë rosash që vetëm sqeposen me njëra-tjetrën, ndonjëherë kujtojnë se janë shqiponja, por pastaj ndalojnë në mes të fluturimit hipin biçikletës së Jenisherit më urdhër të fishkëllimës së Kujtim Gjuzit. Njëri bën sikur lufton, tjetri bën sikur s’është aty, të tjerët bëjnë sikur kanë ide.
Ndërkohë, Mbreti i Kënetës vazhdon të qeverisë me batuta, me fasada të lyera dhe me fjalime ku ai është gjithmonë viktima. E për bilancin? As mos e pyet. Zero është një numër shumë i madh për të.
Në këtë vend, përrallat nuk kanë fund, por fatkeqësisht, ato nuk janë për fëmijët – janë për një popull të tërë që ka mbetur 2 milionë shqiptarë që mezi mbijetojnë në vendin me të bukur në Europë me 365 ditë me diell.
Dhe kështu, në teatrin shqiptar, Rama luan Bufin e vërtetë, Opozita luan Hutin, dhe populli… populli ynë trim dhe i pamposhtur, i shikon si spektator pa biletë, por me faturën e varfërisë dhe të shkombtarizimit në dorë.