Landi Çela
Kryeministria po përgatitet me kujdes për festat e fundvitit, dhe qeveritarët duket se do të festojnë në luks të plotë, me tavolina të mbushura plot. Shefi i tyre, Edi Rama, ka menduar për gjithçka: pije, ushqime dhe shërbime të tjera, të cilat do të sigurohen përmes tenderëve të majmë të zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
Lëngjet e frutave dhe pijet energjike: 10 milionë lekë për freskim
Në krye të listës së tenderëve është një shpenzim prej 10 milionë lekësh për “pije joalkoolike.” Me siguri, këtu përfshihen lëngje frutash të cilësisë më të mirë dhe ndoshta ndonjë pije energjike për të mbajtur gjallë atmosferën e festës.
Qejfi i madh: Alkooli dhe vera e importuar

Kalojmë tek niveli i vërtetë i luksit: 1 milion lekë do të shpenzohen vetëm për pije alkoolike, ndërsa një tender i veçantë, me vlerë 9 milionë lekë, do të sigurojë verë të importuar, duke i shtuar elegancë tryezave festive. Sigurisht, këto janë për t’u përshtatur shijeve të sofistikuara të zyrtarëve të lartë dhe të ftuarve të tyre.
Pijet e ngrohta përpara festës
Para darkave të bollshme, qeveritarët kanë menduar të ngrohin shpirtin me një kapuçino, kakao, apo një filxhan çaji. Për këtë arsye, është parashikuar një tender tjetër prej 2 milionë lekësh për pije të ngrohta, duke përfshirë kafen dhe salepin.
Nga bulmeti te frutat e freskëta
Lista vazhdon me 8 milionë lekë për produkte bulmeti dhe 5 milionë lekë për fruta dhe perime të freskëta. Në një vend ku shumë qytetarë konsumojnë ushqime të kontrollit të dobët, qeveritarët sigurohen që tryezat e tyre të jenë të mbushura me prodhime të cilësisë më të lartë.
Dhe më shumë ushqime…
Përveç këtyre, 2 milionë lekë të tjera do të shpenzohen për produkte të ndryshme ushqimore, që të mos mungojë asgjë në këtë periudhë festive.
37 milionë lekë nga xhepat e qytetarëve
Në total, 37 milionë lekë do të merren nga taksat e shqiptarëve për të financuar këto shpenzime gjatë muajit dhjetor. Ndërsa shumë qytetarë përballen me vështirësi për të siguruar edhe një darkë të thjeshtë, qeveritarët duket se po planifikojnë të shijojnë festa luksoze në kurriz të popullit.
Një tjetër shembull se si elita politike feston në bollëk, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve mbyllin vitin me vështirësi dhe pamundësi për të përballuar festat e fundvitit.