Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Kukësit, ku dy të mitur janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre me thikë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Kukësit, rreth orës 17:25, një 15-vjeçar dyshohet se ka goditur me thikë një bashkëmoshatar të tij. I plagosuri është transportuar me urgjencë në spitalin e Prizrenit për mjekim më të specializuar dhe, sipas informacioneve të para, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ndërhyri menjëherë në vendngjarje dhe autori i dyshuar është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Kukës.
Sakaq, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Kukës/Informacion paraprak
Rreth orës 17: 25, në qytetin e Kukës, një shtetas i mitur rreth 15 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës një shtetas po të mitur 15 vjeçar, i cili është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Prizrenit, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, por dhe të bashkëpunimit me qytetarët, autori i dyshuar është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Kukës.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.