Debati Malaj vs Shakohoxha si simptomë e një realiteti të deformuar
Në një debat televiziv që në pamje të parë mund të ngjante si përballje mes dy botësh të ndryshme – një ekonomist i profilit të lartë dhe një komentator sportiv që përfaqëson një agjenci imobiliare – u zbuluan çarjet e mëdha në narrativën zyrtare që shoqëron sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Përplasja mes Arben Malajt dhe Dritan Shakohoxhës, e zhvilluar mbrëmjen e 26 qershorit, nuk është thjesht një shkëmbim emocionesh. Është pasqyrimi i qartë i përplasjes midis fakteve ekonomike dhe propagandës së tregut.
Nga “flamuri i kuq” i pastrimit të parave te realiteti që shet metra katrorë çdo ditë
Arben Malaj, ish-ministër Financash dhe ekonomist me eksperiencë akademike dhe institucionale, ngriti alarmin për përdorimin e sektorit të ndërtimit si një mekanizëm klasik të pastrimit të parave – një fenomen që njihet botërisht dhe për të cilin Shqipëria është shpesh e paralajmëruar nga organizma ndërkombëtarë si Moneyval dhe GRECO. Ai e përkufizon këtë dukuri si “deformim i tregut”, i cili nuk lejon qytetarët e ndershëm të blejnë apartamente sepse çmimi është fryrë nga paratë e pista.
Në krahun tjetër, Shakohoxha, në rolin e përfaqësuesit të një agjencie të pasurive të paluajtshme, ngulmon në “normalitetin” e tregut – duke këmbëngulur se shqiptarët vazhdojnë të blejnë apartamente çdo ditë.
Dialogu i tyre është kyç për të kuptuar përplasjen e interesave që ndodhin sot në Shqipëri:
Arben Malaj: “Në analizë risku, ndërtimi është me flamur të kuq për pastrim parash. Çmimi rritet kur deformohet kërkesa. Po kush e ka deformuar tregun që një shqiptar nuk blen dot?”
Dritan Shakohoxha: “Ore seriozisht e ke që mund ta thuash?!”
Arben Malaj: “Ore ti je ekspert për sportin, unë jam për këtë… Paraja kriminale në ndërtim për qytetarët shqiptarë…”
Ky fragment nxjerr në pah një problem të madh: mungesën e vullnetit për të përballur realitetin. Sepse krimi nuk shet apartamente në “Mikado”. Ai i ngre kulla, i shtrin tentakulat në leje, hipotekë dhe beton.
Një treg që nuk e justifikon veten
Në debat përfshihen edhe zëra të tjerë, nga Kosova dhe Shqipëria, që konfirmojnë absurditetin ekonomik të çmimeve.
Valon Batusha, nga agjencia “Pro Real Estate” në Kosovë, thotë troç:
“Në Prishtinë është 1800 euro metri, në Shqipëri dyfishi. Investimi nuk kthehet më brenda 10 vitesh.”
Klodian Muço, ekspert ekonomie, shtron një tjetër aspekt kritik diskrepancën midis rënies së popullsisë dhe rritjes marramendëse të lejeve të ndërtimit. Ai e përshkruan sektorin si një ofertë e fryrë që nuk ka kërkesë reale, përveçse nga paraja e zezë.
Kur ndërtimi bëhet mekanizëm shantazhi: rasti i zonjës Mitraj
Dhe ndërsa ekspertët debatojnë në studio, qytetarët si Katrina Mitraj nga Vlora përballen me anën më të egër të këtij tregu: mashtrimin. Pasi ka paguar që në 2019 për një apartament të papërfunduar, ndërtuesi i kërkon sot më shumë para, ose i thotë se “shtëpia nuk përfundon më” një shantazh i pastër në kundërshtim me çdo parim kontrate, morali apo ligji.
Fjalët e ndërtuesit Gentjan Binaj flasin vetë:
“Lëre ça është kontrata, unë të them ça ka paguar ajo. Unë jam zot i punës sime.”
Ky është realiteti i tregut të ndërtimit në Shqipëri: anarki ligjore, arrogancë ndërtuesish dhe mungesë totale mbrojtjeje për qytetarët.
Flluska që po rritet çdo ditë
Gazetarja Ola Xama dhe juristi Eduard Halimi shtojnë një perspektivë teknike dhe ligjore mbi këtë situatë, duke folur për një flluskë të vërtetë ndërtimi që është mbajtur në këmbë nga paratë e paligjshme dhe mungesa e një aksioni serioz institucional. Sipas tyre, ndërtimi në Shqipëri nuk ka lidhje me kërkesë-ofertë, por me mundësi për pastrim dhe fitim të shpejtë.
Xama përshkruan një realitet alarmant:
“Në Tiranë çmimet shkojnë 3 deri në 10 mijë euro/m². Kjo nuk mbulohet nga bankat apo kursimet. Kur të ndalet paraja e paligjshme, do bien dhe kullat.”
Halimi thekson se SPAK nuk mund të vendosë “shiritin” në çdo kullë pa e shkatërruar sistemin, ndaj edhe zgjedh të mos e bëjë. Pra, edhe institucionet anti-korrupsion e kanë të pamundur të përballen me përmasat e deformimit.
Debati mes Malajt dhe Shakohoxhës nuk është thjesht një përballje e opinionit teknik me atë tregtar. Është fotografia e një Shqipërie të ndarë mes realitetit dhe fasadës. Një vend ku ndërtohet më shumë se kudo në Evropë, por ku qytetarët nuk mund të blejnë. Ku të rinjtë ikin, por pallatet ngrihen çdo ditë. Ku shteti nuk ndalon mashtruesit, por ndihmon që ata të marrin leje të tjera ndërtimi.
Në fund të ditës, do jetë tregu vetë që do japë verdiktin. Por për mijëra qytetarë që kanë paguar për një shtëpi dhe kanë marrë një gropë, ose për ata që s’mund të blejnë kurrë, ky verdikt ka ardhur prej kohësh.
Flluska ka plasur. Por askush nuk ka ndërmend të ndalojë fryrjen e radhës.