Kur guximi për të zbatuar ligjin ndaj të paprekshmëve ndëshkohet me heshtje dhe presion

Naim Noka

Ngjarja tragjike që ndodhi dje në rrugën “Kongresi i Manastirit” është më shumë se një incident i rëndomtë.

Hedhja nga një pallat e policit të qarkullimit rrugor Azbi Spahiu nuk mund të konsiderohet vetëm një akt i izoluar i dëshpërimit. Ky është një sinjal alarmi për një sistem të kalbur deri në palcë, ku ata që zbatojnë ligjin përballen me presion, kërcënime dhe në fund, tradhti nga vetë institucioni që duhet t’i mbrojë.

Azbi Spahiu  ishte një polic i zakonshëm. Ai guxoi të bëjë atë që është detyrë e çdo punonjësi policie: të zbatojë ligjin pa dallim. Duke arrestuar Martin Manen, djalin e biznesmenit të njohur Samir Mane, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, Spahiu tregoi se barazia para ligjit nuk është një koncept abstrakt, por një standard që duhet respektuar. Por çfarë ndodhi më pas? Në vend që të vlerësohej për guximin e tij, ai u bë viktimë e një sistemi të kapur nga interesat e të pushtetshmëve.

Nuk kam një raport mbi  prokuroren e çeshtjes  që thuhet  për rastin se e nxori të paligjshëm arrestimin e Martin Manes. Për më tepër, nuk e di nëse ndaj Spahiut nisi një hetim disiplinor nga AMP, duke e shndërruar një akt të zbatimit të ligjit në një “gabim” që duhej ndëshkuar. Por e di se deri në një hetim të paanshëm  pse pikërisht Hazbiu u hodh pas këtij rasti kjo është një ngjarje tragjike për shtetin nëse sadopak akuzat vërtetohen. A ishte presioni nga eprorët apo përbuzja për punën e tij të ndershme?! Këto nuk janë gjë tjetër veçse prova të faktit se në këtë vend, drejtësia është një mall që i përket vetëm atyre që kanë pushtet dhe para.

Sot, ndërsa Spahiu lufton për jetën e tij, shteti hesht. Ata që duhej ta mbronin, e duket se e lanë të vetëm në mëshirën e një sistemi që tradhton ata që kanë guximin të veprojnë sipas ndërgjegjes. Ky rast është një pasqyrë e dhimbshme e degradimit të shtetit shqiptar, ku drejtësia nuk është për të gjithë, por për pakicën që ka luksin të blejë çdo gjë, përfshirë edhe ligjin.

Nëse sistemi lejon që policë si Azbi Spahiu të hidhen nga lartësia  dhe të shantazhohen, çfarë mesazhi i japim të rinjve që duan t’i shërbejnë këtij vendi? Sa kohë do të durojmë një shtet që tradhton shërbëtorët e tij më të ndershëm?

Në këtë moment të errët, heshtja është bashkëfajësi. Ata që guxojnë dhe kanë informacion të flasin duhet të ngrihen, sepse Azbi Spahiu nuk është vetëm një viktimë e sistemit – ai është një dëshmi e gjallë e betejës për një Shqipëri më të drejtë. Dhe ne të gjithë kemi përgjegjësinë të mos e lejojmë këtë betejë të humbasë Azbiu dhe të gjithë ne.

Publikuar nga Publik Media