Kur Prokuroria dhe Gjykata e Beratit përdorin ligjin si instrument presioni

Naim Noka

Pa pretenduar të bëj juristin, edhe pse kam rezervat e mia në lidhje me policinë e shtetit  në shumë raste,Prokuroria dhe Gjykata e Beratit kanë dhënë një shembull brutal sesi ligji mund të përdhoset dhe përdoret si mjet hakmarrjeje apo shërbimi ndaj interesave të errëta politike.

Rasti më i freskët: pezullimi nga detyra i Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, me një vendim që përmbys çdo nocion të funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Le të jemi të qartë: Drejtori i AMP-së është drejtues i një institucioni qendror, të pavarur, dhe për këtë arsye, çdo procedim penal ndaj tij është kompetencë ekskluzive e SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme. Ky përcaktim rrjedh drejtpërdrejt nga ligji për SPAK-un (neni 75, pika a) dhe nuk lë asnjë hapësirë interpretimi për gjykata apo prokurori rrethi. E megjithatë, Berati vendosi të bëjë shtetin vetë.

Prokuroria e Beratit, në një akt që të kujton më shumë hetuesinë e një kooperative bujqësore sesa një organ të drejtësisë moderne, “analizoi” ligjin për AMP-në dhe për policinë gjyqësore. Dhe e lexoi keq. E keqlexoi. Ose më keq akoma: e injoroi me qëllim. E përkthyer ndryshe: Prokuroria e Beratit ka bërë një grusht institucional, duke u veshur me kompetenca që Kushtetuta nuk ia njeh.

Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Beratit është “mburrur” se ka analizuar edhe ligjin për “policinë gjyqësore” apo ligjin për “funksionimin e AMP-së”.  Duket qartë se e ka lexuar me keqdashje dhe gabim.

Ku qëndron absurdi?

Sipas njoftimit të tyre zyrtar, drejtori i AMP-së ka “shpërdoruar detyrën” sepse ka transferuar disa punonjës të policisë gjyqësore. Por ligji për AMP-në e thotë qartë: “Drejtori i Përgjithshëm emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë”. Po ashtu, edhe ligji për Policinë Gjyqësore, nëse citohet siç duhet, e thotë qartë që titullari i institucionit propozon komandime apo transferime. Pra, çfarë vepre penale ka ndodhur këtu? A mos është faji që ka zbatuar ligjin?!

Me një njoftim të beftë, Prokuroria e Beratit nxori një njoftim për shtyp, të titulluar “me kërkesë të Prokurorisë Berat, pezullohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Pyetja e parë që të lind natyrshëm është se çfarë lidhje ka Prokuroria e Beratit me drejtorin e AMP-së që vepron në Tiranë?!

Ndërkohë, më tej thotë se u caktua masa e sigurisë së pezullimit për veprën penale shpërdorim detyre. Sipas Prokurorisë së Beratit, “ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore”.

Çfarë vepre penale ka transferimi i oficerëve të policisë gjyqësore?! Prokuroria e Beratit shkruan se kjo është në kundërshtim me nenin 10, pika 1, shkronja c të ligjit për “për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

Por, çfarë thotë ky ligj?! Ky nen përcakton se Komisioni i Policisë Gjyqësore “miraton transferimin dhe komandimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore të shërbimeve, me propozim të titullarit të institucionit shtetëror ku ata bëjnë pjesë”.

Ndërkohë, shkelja e dytë, sipas Prokurorisë së Beratit është “nenin 62 pika 5, të të ligjit “për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’”.

“Për transferimin e punonjësve të Agjencisë, të strukturës që gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore, zbatohen, krahas kritereve të parashikuara në këtë nen, edhe kriteret e parashikuara në ligjin ‘për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore’”.

 Por a e ka lexuar hetuesi, prokurori dhe gjyqtari që ka nxjerrë masën, nenin 16 të ligjit për AMP-në?!

Përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm, “emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë”.

Shkruhet mjaft qartë, e zeza mbi të bardhë se mund të emërojë, transferojë, lirojë apo edhe të përjashtojë punonjësit e Agjencisë. Ligjvënësit e kanë shkruar qartë këtë ligj por zbatimi i tij, në rastin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Beratit është bërë në shkelje të plotë.

Por kompetencat e drejtorit janë edhe më tepër, pasi drejtori mund të propozojë, edhe miratimin e strukturës dhe organikës. Nëse ka transferuar ndonjë oficer, ccfarë vepre penale ka kryer?

Prokuroria e Beratit nuk e  delegoi çështjen te SPAK-u, siç kërkon ligji, ajo vazhdoi procedurat vetë, kërkoi masë sigurie dhe… “e gjeti fajtorin”. Një procedurë që jo vetëm është nul, por përbën vetë një akt të rëndë të shpërdorimit të detyrës nga ana e vetë prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë.

E gjitha kjo ngjan si një farsë, ku aktorët kryesorë janë gjyqtarë e prokurorë periferikë, që përpiqen të kapërcejnë kufijtë e ligjit për të goditur një zyrtar të lartë. Për llogari të kujt? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje. A mos jemi përballë një lufte mes klaneve brenda institucioneve të drejtësisë? A mos dikush nuk e përtyp dot faktin që Drejtori i AMP-së po prekte interesa të caktuara me reformat e brendshme?

Në këtë rast, Berati ka tejkaluar rolin e një qyteti historik – është kthyer në simbol të shkeljes së rendit ligjor nga vetë ata që duhet ta mbrojnë. Nëse drejtues të drejtësisë në rrethe nisin të shpikin juridiksione dhe të godasin drejtues të institucioneve qendrore, atëherë kemi hyrë në një fazë të rrezikshme të delegjitimimit të shtetit.

Në një vend normal, kjo çështje do të shkaktonte hetim urgjent nga SPAK për prokurorët dhe gjyqtarët që kanë marrë këtë vendim të paligjshëm. Sepse kur drejtësia vesh petkun e padrejtësisë, çdo qytetar mbetet i pambrojtur.

Publik.al do të ndjekë hap pas hapi këtë skandal institucional dhe do të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie. Sepse sot është një drejtor i AMP-së, nesër mund të jetë çdo zyrtar që nuk i bindet sistemit të vjetër. Dhe në fund, i  humbet  drejtësia.

Publikuar nga Publik Media