Flobens Meçja, njohur edhe me mbiemrat Gega dhe Drini është mes personave të arrestuar gjatë operacionit të policisë së Durrësit në një restorant në zonën e Lalëzit.
43-vjeçari ishte shpallur në kërkim nën dyshimet se ka qenë anëtar aktiv i një grupi kriminal. Më konkretisht, emri i tij del në disa biseda në “Sky ECC” me Franc Çopjën, i cili i ofron 5 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt, i njohur me nofkën “Krymi” në Elbasan.
Në të njëjtat biseda, Çopja i ofron nga 1 milion euro për vrasjen e shtetasve Arjan Spahiu, Aldo Baho dhe shtetasit Ilir Lloshi, të cilit i referohen me pseudonimin ‘Liçe’. Në këto biseda, që janë në dosjet e SPAK, Flobens Meçja shprehet i gatshëm të kryejë vrasjet.
Sipas këtyre bisedave, në një moment, Flobens Meçja i thotë Franc Çopjas se me këtë shifër po e nxirrte në pension, duke nënkuptuar se nuk kishte më nevojë që të kryente vrasje.
Bisedat janë kryer në kulm të përplasjes së bandave rivale në qytetin e Elbasanit, vrasje që pasuan masakrën e Bradasheshit, ku mes viktimave ishte edhe Endrit Alibej, vëllai i Erion Alibej. Masakra pasoi hakmarrjen e këtij të fundit, që urdhëroi vrasjen e disa personave që dyshonte se ishin autorë.