Lapaj: Presim të marrim minimalisht 4 mandate në Tiranë

Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ishte prezent në Parkun Olimpik në Tiranë, ku ka nisur procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora.

Në një prononcim për Euronews Albania, Lapaj u shpreh optimist për rezultatin që pritet të marrë forca e tij politike, duke theksuar se ata duhet të jenë koalicioni më i votuar nga emigrantët shqiptarë, për shkak të rolit kyç që kanë pasur në miratimin e ligjit për votën e diasporës.

“Pritshmëria jonë është ajo e atyre që imponuan votën e diasporës dhe detyruan të gjithë këta të tjerët të dalin në diasporë. Me një logjikë të thjeshtë, do të duhet të ishim forca më e votuar, pasi ai ligj është shkruar dhe çuar nga ne”, tha Lapaj.

Duke u ndalur te gara në kryeqytet, ai u shpreh se koalicioni i tij pret një rezultat që do të përkthehej minimalisht në 4 mandate.

“Do të jetë një rezultat impresionues, në çdo rast mbi 10% të votave. Në Tiranë presim minimalisht mbi 4 mandate”, deklaroi kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Publikuar nga Publik Media