
Kompania e shfrytëzimit të naftës shqiptare “Bankers Petroleum Albania Ltd”, është vënë zyrtarisht nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Prokuroria e Fierit ka zbuluar sot detaje shtesë në kuadër të hetimeve teksa thotë se u lëshuan 14 masa sigurimi ku 9 janë ekzekutuar dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’.
Por një tjetër denoncim vjen në “Ora News” edhe për zëdhënësen për mediat e kompanisë naftë-nxjerrëse në Patos-Marinzë “Bankers”, Laura Çela, e njohur si “Laura e arit të zi shqiptar”.

Sipas denoncimit në fjalë kërkohet që Prokuroria e Fierit të hetojë se sa lekë ka dhënë kompania me firmën e Laurës nëpër media për të mbuluar skandalet e kësaj kompanie, që nga ndotja e ajrit tek problemet me naftëtarët.
Denoncuesi bën thirrje për thellim të hetimeve të dëmeve me qindra milionë euro të shtrira në një periudhë kohore prej më shumë se 10 vitesh.
“Këto para kam përshtypjen se janë dhënë jo për reklama, por mendoj se janë thjesht për mbyllje goje ndaj skandaleve të shumta që kanë shpërthyer herë pas here dhe vazhdimin e kësaj kompanie në lundrimin e pa shqetësuar në arin e zi të shqiptarëve.
Ndaj prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje”, thuhet në denoncimin e qytetarit. Laura dyshohet se është pjesë e mekanizmit të vjedhjes nga Bankers. Ajo ka mbuluar pjesën e madias. Laura ka shpërndarë në media një pjesë të parave që Bankers u ka vjedhur shqiptarëve, duke i blerë që të mos flasin më aferat e Bankers.
Ndërkaq sipas Prokurorisë së Fierit, kompania nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë. Pavarësisht këtij aktiviteti të lartë ekonomik, “Bankers” ka deklaruar humbje për 20 vite radhazi, duke shmangur kështu detyrimet tatimore.
Nga 2004 deri në 2024 deklaruan 11.7 miliardë lekë humbje, ndërsa dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro.
Në pranga është vënë numri 1 i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.
Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.
Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.
Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani.
Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.”, thotë prokuroria. / Ora News