Lavrov telefonon Marco Rubion pas takimit Moskë-Kiev në Stamboll!

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, raportohet se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse, ky komunikim ndodhi një ditë pas bisedimeve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që u mbajtën në Stamboll.

Gjatë bisedës, thuhet se Lavrov vlerësoi rolin konstruktiv të Shteteve të Bashkuara në rifillimin e negociatave mes Moskës dhe Kievit pas vitit 2022.

Ai gjithashtu theksoi gatishmërinë e Rusisë për të vijuar bashkëpunimin me Uashingtonin në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes ukrainase.

“Lavrov theksoi rolin pozitiv të Shteteve të Bashkuara, të cilat kontribuan në pranimin përfundimtar nga ana e Kievit të propozimit të Presidentit rus Vladimir Putin për rifillimin e negociatave në Stamboll. Ai konfirmoi gatishmërinë e Moskës për të vijuar bashkëpunimin me homologët amerikanë në këtë kuadër,” thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Publikuar nga Publik Media