Nevzat Çeço: Më vranë djalin për herë të dytë, do bëhem shembull te dera e gjykatës
Nevzat Çeço, babai i të ndjerit Martin Çeço nga fshati Kolanec, ka reaguar ashpër pas vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Martina Pajollarit.
Çeço është shprehur i revoltuar se drejtësia nuk po vihet në vend, duke theksuar se ky vendim është një goditje e dytë për familjen e tij.
“Po si ka mundësi? Po të vras unë, më lirojnë? Të vrasësh një njeri të pafajshëm dhe ta lirojnë. Më duket sikur po ma vrasin djalin për herë të dytë. A nuk ka ligj këtu? Nëse lirohen ata, unë nuk i lë. Le të vijë policia të më arrestojë që tani. Unë po e shoh çfarë drejtësie është kjo. Një pulë të vrasësh, të fusin në burg, jo një të pafajshëm. Unë i vrarë jam. Të ma vrasin djalin e të lirohen nga burgu, unë i vdekur jam. Ata e kanë vrarë. Kam 500 faqe nga Gjykata. Unë nesër kam gjyqin. Do bëhem shembull te dera e gjykatës. Unë i vdekur jam.”, është shprehur Nevzat Çeço.
Martina Pajollari, e akuzuar për moskallëzim krimi në lidhje me vrasjen e Martin Çeços, ndodhet prej dy javësh në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pas përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Vendimi për ndryshimin e masës është marrë nga gjykata, pas një kërkese të paraqitur nga mbrojtja e saj, e cila kërkoi lirimin nga qelia. Deri në këtë moment, Pajollari mbahej në paraburgim në burgun e Pojskës.
Rreth dy muaj më parë, edhe tre personat e tjerë të akuzuar për të njëjtën ngjarje u liruan nga paraburgimi për të njëjtën arsye, përfundimin e afateve të përcaktuara me ligj.
Sipas organit të akuzës, Pajollari dyshohet se ka ndihmuar në nxjerrjen në pritë të viktimës, Martin Çeço, dhe më pas nuk ka kallëzuar krimin pranë autoriteteve.
Ngjarja ndodhi në qershor të vitit 2022 në fshatin Kolanec, Maliq, ku Çeço u qëllua për vdekje dhe më pas trupi i tij u hodh në një rezervuar. Vrasja shkaktoi reagim të gjerë në opinionin publik dhe mori vëmendje të madhe mediatike.
Sipas hetimeve paraprake, motivet e krimit lidhen me një konflikt personal dhe xhelozi, në kontekstin e marrëdhënieve të viktimës me Pajollarin.







