Lirohet nga qelia Safet Gjici

ish-kryebashkiaku i Kukësit lë qelinë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore

Gjykata e Apelit liron Safet Gjicin – Ish-kryebashkiaku i Kukësit përfiton lirimin e parakohshëm për arsye shëndetësore

Gjykata e Apelit ka vendosur ditën e sotme lirimin e parakohshëm të ish-kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Gjici, i cili ishte dënuar me 1 vit burg për shpërdorim detyre, pas publikimit të një videoje me përmbajtje seksuale të regjistruar në zyrën e tij të punës.

Gjicit i kishin mbetur edhe rreth 8 muaj vuajtje dënimi, por Apeli ka pranuar kërkesën për lirimin e tij, me argumentin se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar dhe e papërshtatshme për të vijuar qëndrimin në burg.

Skandali që çoi në dënimin e tij shpërtheu në qershor të vitit të kaluar, kur në media qarkulloi një video ku ish-kryebashkiaku shfaqej në situatë intime me një grua në ambientet e institucionit që drejtonte. Pas publikimit të videos, Gjici dha dorëheqjen dhe ndaj tij nisën hetimet për shpërdorim të detyrës, pasi zyra e punës nuk mund të përdoret për qëllime private.

Vendimi i Apelit ngjall debat në opinionin publik, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka rasti, si dhe kohës së shkurtër që ai ka qëndruar pas hekurave. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria mbi këtë vendim, ndërsa Gjici pritet të jetë i lirë duke filluar nga dita e sotme.

Publikuar nga Publik Media