Hidhet në Dublind të Irlandës, shorti për grupet eliminatore të Europianit 2020, ku 55 skuadra do të ndahen në 10 grupe. 5 nga këto grupe do të jenë me nga 6 ekipe, ndërsa 5 të tjera me 5 ekipe.
E njëjta rrugë do të ndiqet edhe me vazot e tjera. Kjo do të thotë se 55 kombëtaret pjesëmarrëse në eliminatoret e Europianit 2020 duhet ta fitojnë vendin e tyre në fushë, sepse nuk do të ketë asnjë ekip të kualifikuar automatikisht si pritës i Europianit.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Kristian Panuçi janë në vazon e katërt të këtij shorti dhe është praktikisht e pamundur që grupi ku do të bëjnë pjesë do të jetë i lehtë. Në letër do të ketë 3 skuadra më të forta dhe një ose dy më të lehta (varet nga grupi me 5 apo me 6 ekipe). Kosova gjithashtu do të mësojë rivalët e saj, e cila është pjesë e vazos së pestë.
“Dardanët” nuk mund të luajnë eliminatoret kundër Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ndërsa sfida tjetër e ndaluar nga UEFA është Gjibraltar-Spanjë. Shqipëria mund të luajë ndaj të gjitha skuadrave pjesëmarrëse me përjashtim të atyre në vazon e 4-t. Që do të thotë nuk përjashtohet mundësia e prezencës së Serbisë në grup, pavarësisht atyre që ndodhën në eliminatoret e kaluara. Por, kuqezinjtë mund të luajnë edhe ndaj Kosovës.