Lori Hoxha e Bregasi të zhytur në borxhe, përfundojnë në gjykatë

Pak javë më parë, trashëgimtarja e “Top Channel”, Lori Hoxha dhe biznesmeni i ri, Ilir Bregasi, djali i sipërmarrësit të njohur socialist, Luan Bregasi, garantuan kryeministrin Edi Rama se ishin të gatshëm që të shpenzonin rreth 55.6 milionë euro për ndërtimin e një kompeksi turistik dhe shërbimesh në Tiranë.

Shefi i qeverisë, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, nuk ua bëri fjalën dysh. Në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike, Rama, miratoi në 10 Prill 2025 vendimin që shpallte shoqëritë “Anima Con” të Lori Hoxhës dhe “EB Construction” të Bregasit si “investitor strategjik”.

Vendimi mban numrin 1 për vitin 2025, dhe, për ata që janë supersticiozë, ky numër duhet të shënonte fillimin e mbarë të investimeve strategjike për këtë vit. Por, duket se investitorët e rinj strategjikë kanë probleme të theksuara me pagesën e borxheve.

Në foto: Vendimi për shpalljen “investitor strategjik” të projektit “Anima”, me vlerë 55.6 mln euro

Sipas dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se dy kompanitë kryesore të tyre, e konkretisht “Valtelina”, e njohur ndryshe si “Lori Cafe”, në pronësi të Lori Hoxhës e familjarëve të tjerë të saj, si edhe strategjiku i ri, “EB Construction”, janë detyruar me vendime gjyqësore për të paguar detyrimet që nuk u kishin shlyer kontraktorëve të tyre të ndryshëm.

Vendimet e dhëna nga Gjykata e Tiranës i përkasin periudhës maj-qershor 2025, pra, pasi Lori Hoxha dhe Ilir Bregasi shprehën gatishmërinë e tyre për të shpenzuar plot 55.6 milionë euro në “investimin strategjik”.

“Valtelina” shpk (Lori Caffe) detyrohet me vendim gjyqësor që të paguajë 500 mijë euro fatura të papaguara. Ndërsa, po me vendim gjyqësor, “EB Construction” detyrohet që të paguajë 50 mijë euro borxhe.

Shumat e papaguara janë shumëfish më të vogla se sa ato që “strategjikët” kanë deklaruar se do të shpenzojnë për investimin e ri, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e tyre ekonomike për të ndërmarrë kostot 55.6 milionë euro.

Borxhi 500 mijë euro i “Valtelina”

Kompania “Valtelina”, e njohur ndryshe edhe si “Lori Caffe” është shoqëria më e njohur e grupit financiar të krijuar nga i ndjeri Dritan Hoxha. Pasi ai ndërroi jetë në vitin 2008, të gjithë kompanitë e konglomeratit, përfshirë edhe televizionin “Top Channel”, menaxhohen tashmë nga e veja e tij, Vjollca Hoxha dhe 4 fëmijët e çiftit.

Shoqëria “Valtelina”, në funksion të objektit të saj për shitje, shpërndarje e furnizim të produktit kafe, nën siglen “Lori Caffe”, ka lidhur, ndër të tjera, kontratë për t’u furnizuar nga një kompani tjetër “D…C…”, me seli në Tiranë.

Gjatë periudhës janar-prill 2025, shoqëria “D…C…” ka furnizuar kompaninë “Valtelina” (Lori Caffe) me 7 ngarkesa, për të cilat ka lëshuar edhe faturat përkatëse. Vlera totale e këtyre faturave ishte rreth 300 mijë euro.

Në foto: Sipërmarrësja Lori Hoxha

Rezulton se “Valtelina” e familjes së Lori Hoxhës nuk i ka paguar këto fatura dhe, për këtë arsye, kontraktori “D…C…” i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, në të cilën kërkon lëshimin e urdhër-ekzekutimit për shlyerjen e këtyre pagesa. Më thjesht, të detyrojë “Lori Caffe-n” që të paguajë borxhin.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës, shoqëria “D….C…” kërkon gjithashtu që “Valtelina” shpk të paguajë, krahas faturave, edhe penalitete të tjera nga mos-përmbushja e detyrimeve kontraktore dhe, në përfundim, shuma që kërkonte ishte 49 milionë lekë të reja (rreth 500 mijë euro).

Gjykata e Tiranës, me një vendim të datës 28 Maj 2025, ka pranuar kërkesën e shoqërisë “D…C…”.

Në foto: Vendimi i Gjykatës për faturat e papaguara nga shoqëria “Valtelina”

Në vendimin e siguruar nga “Boldnews.al”, gjykata thotë se lëshon urdhërin e ekzekutimit, sipas të cilit detyrohet “Valtelina” shpk (Lori Caffe), që të paguajë faturat e papaguara, si edhe kamatat e penalitetet e tjera, për një vlerë totale prej 49 milionë lekë të reja.

Gjithashtu, gjykata thekson se ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankimi, gjë që do të thotë se “Valtelina” shpk duhet të paguajë sa më shpejt detyrimin rreth 500 mijë euro ose, në të kundërt, llogaritë e saj mund të bllokohen nga shërbimi përmbarimor, deri në shlyerjen e borxheve.

Borxhi 50 mijë euro i Bregasit

Në një situatë të ngjashme duket se është edhe “strategjiku” tjetër, Ilir Bregasi, me kompaninë e tij “EB Construction”.

Shoqëria është krijuar në vitin 2019 me pronar të vetëm Bregasin e ri dhe me objekt punime ndërtimi, e të tjerë.

Në foto: Biznesmeni Ilir Bregasi

Në vitin 2023, “EB Construction” nënshkruan një kontratë shërbimesh me një zyrë projektimi. Në funksion të kësaj kontrate, projektuesit lëshojnë dy fatura, me vlerë totale mbi 5 milionë lekë të reja (50 mijë euro).

Dy vjet pas lëshimit të faturave, shoqëria e Ilir Bregasit ende nuk i kishte shlyer. E gjendur në këtë situatë, zyra e projektimit i drejtohet Gjykatës së Tiranës me kërkesën për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, rrjedhimisht për të detyruar “EB Construction” që të shlyejë borxhin 2-vjeçar.

Trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e zyrës projektuese, sipas vendimit të siguruar nga “Boldnews.al”.

Në foto: Vendimi i Gjykatës së Tiranë për faturat e papaguara nga “EB Construction”

Në 4 qershor 2025, gjykata e Tiranës ka miratuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit dhe detyron shoqërinë “EB Construction” që të shlyejë dy faturat, me vlerë totale 50 mijë euro.

Gjykata rithekson faktin se, në rast vonese të zbatimit të këtij vendimi, kompania ndërtuese e Ilir Bregasit do të detyrohet të paguajë edhe kamatat përkatëse.

Vendimet tregojnë se, dy investitorët e rinj strategjikë, Lori Hoxha dhe Ilir Bregasi, para se të ndërmarrin investimin 55 milionë euro të miratuar nga Rama, fillimisht do të duhet të paguajnë, përkatësisht 500 mijë euro dhe 50 mijë euro borxhe, sipas urdhërimit të trupës gjykuese.

Publikuar nga Publik Media