Luks i shfrenuar i Karakaćit në OSHEE e zhytur në borxhe

Si ushtari i Ballukut, Enea Karakaçi po fundos korporatën duke shpenzuar miliona për kolltuqe dhe reklama

Pjesa I – Luks në vend të shlyerjes së borxheve

Ndërkohë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po zhytet në borxhe gjithnjë e më të thella ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), drejtori i përgjithshëm Enea Karakaçi duket se ka prioritete të tjera: mobilimin luksoz të zyrave dhe brandimin estetik të qendrave të shërbimit ndaj klientit.

Në fund të vitit 2024, OSHEE firmosi një kontratë prej 114 milionë lekësh për blerje mobiljesh për selinë qendrore dhe filialet për dy vitet e ardhshme. Fituesi i këtij tenderi u shpall bashkimi i operatorëve “BUNA” sh.p.k (70%) me pronar Artur Bujari dhe “ERALD” sh.p.k (30%) me pronar Arjan Muja.

Ky tender u anulua një muaj më vonë, me arsyetimin absurd se “dokumentet përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme”, për t’u rishpallur sërish më 10 shkurt 2025. Një skemë e njohur për të blerë kohë dhe për të rinegociuar përfituesit realë në prapaskenë.

Pjesa II – Mobilje me specifikime “ministeriale”

Çfarë përmban kjo kontratë luksi?

Një inventar që duket më shumë si lista e pajisjeve të një resorti 5-yje:

  • Poltrona me lëkurë ekologjike dhe alumin të kromuar, me lartësi të rregullueshme dhe dizajn ergonomik.
  • Kolltuqe me strukturë druri dhe mbushje poliuretani ekologjik, të mbështjellë me pambuk antialergjik.
  • Karrige rrotulluese me rrjetë ventilimi dhe pistona gazi për rehati maksimale.
  • Dhe për qershinë mbi tortë: një kasafortë sekrete, e pajisur me bravë automatike dhe lyerje elektrostatike “me paraqitje estetike”.

Të gjitha këto, të porositura drejtpërdrejt nga Karakaçi, që sipas dokumenteve të tenderit ka përzgjedhur edhe ngjyrën e lëkurës së karrigeve.

Pjesa III – Reklama si në Manhattan

Në mars 2025, OSHEE ka shpërndarë një tjetër kontratë, këtë herë për reklamat e qendrave të kujdesit ndaj klientit. Me një vlerë mbi 36 milionë lekë (me TVSH), kontrata i ka shkuar firmës “FILARA” sh.p.k, në pronësi të Florjan Xhemalaj.

E regjistruar fillimisht për botime, kjo firmë është kthyer papritur në përfituese të tenderave shtetërorë për trajnime, dokumente dhe reklama. Tenderi në fjalë është kontrata më e madhe që ka përfituar ndonjëherë kjo kompani, duke e çuar në dyshim qëllimin real të prokurimit dhe mundësinë e një skeme favorizuese me ndihmën e Karakaçit.

Pjesa IV – Të fundosësh një korporatë publike me stil

Ndërkohë që drejtori Karakaçi porosit karrige dhe brandime luksi, OSHEE është praktikisht në kolaps financiar. Borxhi total i saj, sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka arritur në 620 milionë euro, shumica ndaj KESH-it për blerje energjie.

Nga viti 2021 deri në 2024, OSHEE ka shlyer vetëm 20 milionë euro nga 90 milionë që i detyrohej, duke e bërë të pamundur respektimin e marrëveshjes me KESH-in dhe kushtet e BERZH-it për kreditë e huaja. Kjo ka krijuar një zinxhir borxhesh që rrezikon stabilitetin e gjithë sektorit energjetik në Shqipëri.

Pjesa V – Karakaçi, “ushtari i besuar” i Ballukut

Burime të brendshme në OSHEE thonë se Enea Karakaçi është njeri i afërt dhe i besuar i ministres Belinda Balluku, e cila ka mbikëqyrur vazhdimisht tenderat e blerjes së energjisë, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimet e mëdha të sektorit.

Në të gjitha rastet e shpenzimeve të dyshimta, nuk është parë asnjë reflektim nga ministria, përkundrazi: Karakaçi vijon të drejtojë korporatën me dorë të hekurt dhe buxhet të hapur për luks.

Luks për drejtuesit, borxhe për qytetarët

Kjo situatë është simptomatike për një model menaxhimi korruptiv ku interesat e qytetarëve dhe qëndrueshmëria e kompanisë publike sakrifikohen për komoditetin dhe propagandën e drejtuesve.

Nëse nuk ndërhyhet nga institucionet përkatëse, OSHEE rrezikon të mos jetë më në gjendje as të blejë energji, as të paguajë detyrimet, duke rritur rrezikun e rritjes së tarifave për konsumatorët finalë.

Publikuar nga Publik Media