Një histori pastrimi parash që sfidon Altin Dumanin !

Lul Morina i bëri elozhe Ramës në intervistë me Dumën, merr leje për hotel në Dhërmi
 4 ditë pasi Prokuroria e çoi në gjyq për ndërtim pa leje

Disa javë më parë u shfaq në “Top Channel” biznesmeni komtravers Lul Morina, me qëllim për të kuruar imazhin e tij. Ai është dërguar në gjyq për ndërtime pa leje, por ka pasur shumë akuza se ka dorë dhe në aktivitete të tjera të paligjshme si trafik droge dhe pastrim parash. Ajo që ngjalli habi te moderatorja Grida Duma, ishte “ngritja në qiell” e Edi Ramës. Lul Morina u shpreh ‘se jemi me shumë fat që e kemi Ramën kryeministër’.

Në mes të këtij muaji, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq biznesmenin Julian Morina dhe shoqërinë që administrohet nga ai d ‘Xheluks Construksion’, për ndërtim pa leje me sipërfaqe 16 mijë m2, për periudhën 2021-2024. Prapaskena mëson se pazari është mbyllur, ku do të dënohen me shërbim prove dy administratorët e kompanisë, ushtarë të Lul Morinës, ndërsa ky i fundit do të rimarrë objektet pa leje që i konfiskoi qeveria me një çmim qesharak.

Ndërkaq, Këshilli Kombëtar i Territorit, me në krye Edi Ramën, në mbledhjen e datës 20 nëntor 2024, ka miratuar lejen për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi nga Lul Morina, pikërisht përmes kompanisë së tij Xheluks Construksion. “Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks elitar hoteleri dhe shërbime “In The Wild”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë’, me subjekt zhvillues shoqërinë “Xheluks Construksion” sh.p.k.“, thuhet në njofimin e KKT.

Ky vendim është një mesazh i qartë inkurajues për paligjshmërinë, krimet mjedisore, pastrimin e parave dhe sfidimin e shtetit ligjor. Jo vetëm kaq. Ka të dhëna se prona mbi të cilën do të ndërtohet kompleksi elitar në Dhërmi është siguruar përmes dokumenteve false dhe mashtrimit, ndërsa paratë e investimit dyshohet se janë produkt i trafikut të kokainës.

Kompani fantazmë, pasuri e dyshimtë, dyshime për trafik droge

Lul Morina u shfaq në fushën e biznesit të ndërtimit në vitin 2005, duke i blerë Shaban Zekajt aksionet në kompaninë ‘Rinia 04’, themeluar në vitin 2004, me kapital 100 mijë lekë, me zyra në Fier.

Një vit më pas, Morina i shton kompanisë fantazmë të ndërtimit si objekt veprimtaria edhe import/eksport të frutave/perimeve. Importi i frutave, sidomos nga Ekuadori dhe Kolumbia, është forma më e përhapur e kamuflimit të trafikut të kokainës. Kompania ‘Rinia 04’, herë rezulton me bilance dhe herë pa bilance, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të pastrimit të parave.

Në vitin 2012, Morina i blen Besnik Serdanit kompaninë Xheluks Construksion, për 100 mijë lekë, me të cilën ka ndërtuar pallatin pa leje tek Liqeni i Thatë në Tiranë. Edhe kjo kompani ishte themeluar në vitin 2010 dhe nuk kishte ndonjë aktivitet të konsoliduar ekonomik.

Në vitin 2018, Lul Morina i blen Jorgji Ruçit kompaninë “Drymades Dream”, për 7.5 milionë lekë, duke ndërtuar më pas resorte më vlerë miliona euro. Çuditërisht edhe kjo komapni kishte si objekt import/eksport të fruta/perimeve.

“Shqipëria shumë me fat që ka kryeministër

Disa muaj më pas, Lul Morina, me këtë kompani, hyn në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, në kërkim për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliardë USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi.

Me anë të këtyre kompanive fantazmë dhe që i ka blerë me më pak se sa 10 milionë lekë, Lul Morina ka qarkulluar miliarda lekë dhe ka investuar dhjetëra milionë euro në pasuri të paluajtshme, si resorte, hotele dhe pallate, por edhe duke blerë jaht, makina të shtrenjta etj.

-A qëndron Lul Morina pas një prej linjave kryesore të trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe Ekuatori drejt Portit të Durrësit?

-A ka punuar Arbër Çekaj, i arrestuar për 613 kg kokainë të kapura në Portin e Durrësit, për Lul Morinën?

-A janë para kokainë miliona euro të kamufluara me tre kompani ndërtimi fantazmë?

Lidhja me vëllezërit indianë

Emri i Lul Morinës doli edhe një herë në vitin 2019 gjatë historisë së pazakontë të vëllezërve indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë qindra milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Dy vëllezërit indianë gjetën strehë në Shqipëri, ndërsa u pajisën me nënshtetësi nga Ilir Meta, ndonëse drejtësia indiane i kërkonte në të gjithë botën për pastrim parash. Ata krijuar në vitin 2017 dy kompani ndërtimi “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment”, ndërsa dhjetor 2018 hynë në ortakëri me 50 % të aksioneve me Lul Morinën, në kompaninë “DRYMADES DREAM”, e cila mes aseteve ka edhe resortin e njohur “DRYMADES DREAM” në Dhërmi.

Dy vëllezërit blenë 50 % të aksioneve për 100 mijë euro. Tre muaj më pas, Lul Morina i merr sërish 50 % të aksioneve, përmes kompanisë ‘Rinia 04’, duke u dhënë dy vëllezërve indianë një apartament në Vlorë.

Lidhja me futbollin dhe jeta e luksit

Lul Morina njihet edhe si ish donator i Klubit të Futbollit Tirana. Madje, në fund të vitit 2019, Morina shprehu interesin për t’i blerë Bashkisë së Tiranës 34 % të aksioneve të Klubit Tirana. “Me sa di unë, ekipi ka pasur dhe ka disa borxhe të mëparshme që ekzistonin që kur isha unë pjesë e Tiranës. Nuk kam një pasqyrë të qartë të situatës dhe borxheve. Fakti që dua të hyj në këtë klub dhe të marr aksionet e bashkisë ka përgjegjësi më vete. Këtë lëvizje e bëj për të ndërtuar diçka më të mirë, për të ngritur Tiranën atje ku e ka vendin”, tha Julian Morina.

Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Lul Morina shfaqet në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.

Transferoi mijëra euro në llogarinë e gruas së ish-ministrit Tahiri

Një hetim i nisur nga prokuroria e Posaçme për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka çuar në ambientet e SPAK biznesmenin nga Fieri, Lulzim Morina.

Aa dhënë kohë më parë shpjegime për disa transaksione bankare me vlerë mbi 100 mijë euro, transferta këto që janë kryer gjatë vitit 2016-2017 tek llogaria e Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.

Gjatë marrjes në pyetje, burimet thanë se, Lulzim Morina, ka pranuar kryerjen e këtyre transaksioneve, duke pretenduar se shumat financiare janë dhënë në formën e borxhit.

Sipas tij, huaja është kthyer sërisht mbrapsht dhe për këtë gjë ka premtuar se do i vendoste në dispozicion hetuesve të çështjes mandatet bankare.

Pas kësaj dëshmie të shkurtër, Morina është lënë i lirë të shkojë, por duke i mbajtur aparatin e telefonit. Bllokimi i është kryer me qëllim kqyrjen e bisedave dhe ekspertimit teknik të tij, ku shpresohet të gjendet biseda dhe materiale që i shërbejnë këtij hetimi.

Një shpëlarje imazhi me pagesë!
19 pyetje për “biznesmenin” Morina që “Top-i” nuk ia bëri!

Është bërë trend tashmë që në emisionet kryesore të mbrëmjes, veçanërisht ato të debateve politike, të përfshihen gjithnjë e më shumë emisione komerciale! Këto emisione transmetojnë investime dhe intervista me personazhe të ndryshëm kundrejt pagesës, duke vepruar si reklama. Nga ana tjetër, opinionit publik i shiten si arritje apo figura të suksesshme në fushën e biznesit. Fatkeqësisht, ndonjëherë promovohen edhe individë me të kaluar të dyshimtë.
Një rast i tillë ndodhi në emisionin e së hënës në “Top Story”, ku u intervistua shtetasi/biznesmeni Julian, alias Lulzim ose Lul Morina. Një figurë kontroverse dhe financues i Partisë Demokratike, kohët e fundit edhe i Partisë Socialiste, dhe mik i vëllait të kryeministrit, e jo vetëm!
Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte niveli intelektual i tij, i cili dukej të ishte i barabartë ose më i ulët se ai i ish-deputetes gazmore të “kërperates”. Ishte aq shumë i mahnitur nga puna e Kryeministrit Rama, sa nuk ndalej së përmenduri shtrimin e rrugëve dhe trotuareve. Megjithatë, nuk thoshte “trotuar”, por “tortuar”, përveç gafave të tjera që bënte.
Gjithsesi, mendoj se para se të ftohen persona të tillë, duhet të konsultoheni me gazetarët e kronikës. Ju të “Top-it” keni Anila Hoxhën, e cila mund t’ju informojë për këto lloj personazhesh! Mos promovoni në media njerëz me të kaluar të dyshimtë që paraqiten si biznesmenë të suksesshëm, sepse rrjetet sociale tashmë janë mbushur me “infeksione” të tilla!
Në fund, dua të rendis disa pyetje që nuk iu bënë Julian alias Lulzim ose Lul Morinës në emisionin “Top Story”, për të kuptuar më mirë kush është ky “biznesmen” i suksesshëm në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë në Shqipëri:

1. Si e bëre milionin e parë?
2. Çfarë biznesi ke bërë në Itali dhe jo vetëm? A ke shitur “jonxhë”, “miell” apo “kofsha pule”?
3. Sa herë je hetuar dhe dënuar jashtë Shqipërisë?
4. Për çfarë akuze je dënuar në Itali?
5. Me çfarë biznesi ke filluar në Shqipëri?
6. Ku janë prokurorët dhe gjyqtarët me të cilët punoje si “avokat” në Fier, Tiranë?
7. Nga vinin të ardhurat me të cilat ke blerë prona?
8. Sa kredi ke marrë në banka?
9. Për çfarë arsye i ke dhënë “dhuratë” 80 mijë euro gruas së ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, në kohën kur ky i fundit ishte ministër?
10. Po transaksionin e dytë, dhurata për bashkëshorten e Tahirit, për çfarë arsye ia ke bërë?
11. Për çfarë je marrë në pyetje dy herë nga SPAK-u dhe çfarë ke deklaruar për këto transaksione?
12. Kur të erdhi dosja nga Italia, kush të njoftoi dhe çfarë rruge ndoqe?
13. Kush të dha miratimin për ndërtimin e pallatit 10-katësh pa leje në Tiranë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj apo Kryeministri Edi Rama?
14. Kush të mbrojti që nuk u arrestove për ndërtimin e pallatit 10-katësh pa leje, kur dihet që në Shqipëri për ndryshimin e dritareve policia ka arrestuar qytetarë të thjeshtë?
15. Cili prokuror t’i mbylli çështjet në Shqipëri?
16. Si ndihesh si i pandehur dhe çfarë mund të thuash për akuzën tashmë zyrtare ndaj teje për ndërtimin e paligjshëm të pallatit 10-katësh në Tiranë?
17. Po për procedimin tjetër për ndërtim të paligjshëm, ke ndonjë koment?
18. Elozhet për Kryeministrin Ramën i thua sepse të dhuroi tokë publike në Dhërmi nën siglën e “investitorit strategjik”, apo pagove për atë tokë?
19. Çfarë biznesi të lidh me personazhe të njohur që kanë gjetur strehë në Dubai, ku keni investuar së bashku?Prapaskena

Publikuar nga Publik Media