Macron mahnitet nga ‘Mbreti Diell’ i Shqipërisë 2025

 Naim Noka

Kolegu Basir Çollaku  më vigjilencë e kishte kapur  detajin perlë  në  takimin Macron-Rama në  Tiranë. Në një përshëndetje të shkurtër mes dy liderësh. Pikërisht aty, ku fjalët janë më pak të matura dhe më shumë të sinqerta, u dëgjua një “kompliment” i rrallë që Babloku ynë i bëri Presidentit Macron:

“Roi Soleil” – Mbreti Diell. 

Për ata që nuk e kanë hapur ndonjëherë një libër historie franceze, ky nuk është një emër dosido. “Roi Soleil” është nofka e Luigjit XIV, monarkut absolut që mbretëroi mbi Francën për 72 vjet, duke identifikuar veten me shtetin dhe lavdinë, ndërsa populli jetonte në varfëri dhe censurë. Është po ai që tha me krenari:

“L’État, c’est moi” , Shteti jam unë.

Dhe tani, Edi Rama  një lider që prej vitesh po ndërton një pushtet gjithnjë e më të koncentruar në duart e tij, që shet art dhe moral si kartëvizitë ndërkombëtare i thotë një presidenti të zgjedhur nga vota demokratike se është “Mbreti Diell”?

Ironi? Lapsus? Apo një rrëfim i pavetëdijshëm për mënyrën se si ai e koncepton vetë pushtetin?

Sepse, kjo nuk ishte thjesht një batutë. Ishte një shkarkim sinjalizues i pavetëdijes politike. Një deklaratë që më shumë se për Macron-in, flet për Ramën.

Në çdo rrethanë tjetër, një “roi soleil” do të dukej si një shaka bajate e radhës. Por siç thonë vetë francezët, le diable est dans les détails, djalli fshihet në detaje.

Në Francë, nëse dikush e quan Macron-in “Mbreti Diell”, ka gjasa të përfundojë në ballinat e satirës.
Sepse ky titull nuk i jepet një lideri dosido, por njërit prej më famëkeqve në historinë europiane: Luigjit XIV, monarkut që mbretëroi me dorë të hekurt dhe egërsi barokë për dekada të tëra.

Por Rama nuk bën gafa. Ai komunikon gjithmonë me regji, kostum, dritë dhe mbi të gjitha: me simbolikë.

E kur përmend “Mbretin Diell”, nuk është thjesht retorikë , është një pasqyrim i ambicies për pushtet të pakufishëm.

Luigji XIV është vlerësuar nga historianët si gjeniu i parë i komunikimit politik modern. Ai përdori veshjen, hijeshinë, koreografinë e oborrit dhe mitin personal për të ndërtuar një pushtet absolut. Gjithçka ishte stil, imazh, dominim vizual dhe ritual i përditshëm pushteti.

Në këtë sens, Edi Rama është një nxënës i devotshëm: pantallonat me lule, atletet me shenja paqeje, këmisha të hapura deri në kraharor dhe zhargoni artistik në çdo dalje publike. Si një monark ballkanik, ai e ka kuptuar fuqinë e estetikës në pushtet më mirë se kushdo tjetër në rajon.

Ashtu siç Luigji e bëri Francën qendër të modës dhe sharmit, Rama përpiqet ta bëjë Shqipërinë qendër të “rilindjes” me fasada dhe sheshe për instagram. Por në thelb, gjithçka është kozmetike. Fjalët për “shtet digjital”, “rrotacion të madh” dhe “transformim epokal” janë po aq të zbrazëta sa sallat e Versajës për të varfrit e shekullit XVII.

Por një fakt nga historia e Luigjit XIV nuk mund të lihet pa përmendur:

Ai është larë vetëm dy herë në jetën e tij. Po, vetëm dy herë në 72 vjet mbretërim.

Në atë kohë, mjekët besonin se larja mund të hapte poret dhe të lejonte futjen e mikrobeve. Prandaj, Mbreti Diell mjaftohej me shpëlarje të duarve në ujë aromatik dhe fërkim të fytyrës me një peshqir të lagur. Parfumet e luksit mbulonin gjithçka tjetër.

A nuk ndodh sot e njëjta gjë edhe në Shqipërinë tonë?

Pak transparencë, shumë aromë pijari.

Institucioneve të qelbura , shumë “spray” propagandistik.

Kemi ndërtuar një shtet që shpëlajmë me aromë “suksesi”, për të fshehur erën e korrupsionit, kapjes dhe arrogancës. Në vend të reformave, kemi dekorime. Në vend të drejtësisë, kemi regji.

Rama’zan-i ynë e di se historia nuk përsëritet njësoj, por shpesh rimon. Ai përmendi Luigjin me krenari, sepse ndoshta si ai  kërkon të mbetet në histori si një transformues. Por çfarë lë pas, kjo është prova: një republikë me institucione të forta, apo një oborr të lyer me bojë të freskët?

Në shtratin e vdekjes, Luigji XIV tha:

“Unë po vdes, por shteti do të mbijetojë.”

Rama, me gjasë, do të thotë:

“Unë nuk vdes, unë ripikturohem.”

Sepse për të, shteti nuk është as strukturë, as ligj, as shërbim. Është ai vetë. Një “Roi Soleil” tropikal, me Versajën e vet prej betoni dhe propagande, që komandon pa ndjeshmëri historike, pa frikë nga reflektimi.

A e kuptoi Macron këtë “kompliment”?

Mbase po. Mbase ngriti vetullën dhe qeshi me diplomaci.

Por për ne, që kemi këtë mbret të improvizuar si kryeministër, nuk ka shumë për të qeshur.

Sepse sa herë që Rama flet, nuk zbulon atë që mendon për të tjerët, por atë që mendon për veten. Dhe ajo pasqyrë është gjithnjë e më shumë e turbullt, mes megalomanisë dhe vetëshpalljes mbretërore.

Publikuar nga Publik Media