Përplasjet në Kuvend janë ashpërsuar mes ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe deputetit Agron Shehaj, duke u shoqëruar me akuza të rënda dhe tone të forta personale.
Gjatë seancës parlamentare, Malaj iu drejtua Shehajt me deklarata të drejtpërdrejta, duke e akuzuar për çështje ligjore dhe përfshirje në struktura që, sipas tij, lidhen me parajsa fiskale.
“Mezi po e pres interpelancën me ty. Këtu është fundi i botës të flasësh ti për drejtësinë, një person që është dënuar nga gjykata si hajdut të dhënash, si shpifës. Edhe hajdut dhe shpifës. Vesi del me shpirtin, ke dhe një kallëzim tjetër që përsëri akuzohesh si hajdut të dhënash. Ka kallëzim penal për ty dhe kompanitë që ke krijuar si skema të parajsës fiskale. ‘Të çon të fala Monxani’”, tha Malaj.
Deklaratat e ministrit shkaktuan reagim të menjëhershëm nga Shehaj, i cili i mohoi akuzat dhe e akuzoi Malajn për shpifje dhe manipulim.
“E kuptoj që është i dëshpëruar dhe kur është i dëshpëruar vetëm shpif. Ti je shpifës nga maja e flokut deri te këmbët. Sapo gënjeve në mënyrë të paturpshme. I ke falur 100 mln gjobë. Çfarë u bë me ato para. Si i ndave me bankers. Si puna juaj këtu kam dëgjuar pafund. Të gjithë kështu flisnin. Fundin e keni te SPAK. Ju ka ardhur dita. Do përfundosh si Saimir Tahiri, Erion Veliaj e Belinda Balluku, do të përdori Edi Rama e do të hedhë poshtë”, u përgjigj Shehaj.
Debati i ashpër mes dy politikanëve ka rritur tensionet politike në Kuvend, duke reflektuar përplasjen e fortë mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me drejtësinë, korrupsionin dhe hetimet e mundshme ndaj zyrtarëve të lartë.







