Mandati i Pestë i Ramës është Fitorja që i tmerron edhe fituesit

ARDI STEFA

Edi Rama ka fituar sërish. Të gjithë e dinim. Ai vetë, shumë kohë më parë. Madje, më saktë: nuk fitoi vetëm mandatin e katërt. Në realitet, më 11 maj, Rama çertifikoi mandatin e pestë, atë të vitit 2029. Sepse me një opozitë që s’ka as ide, as kurajo, as formë dhe as alternativë, edhe po ra në numër, ai sërish do jetë në krye.

Çështja nuk është më a do fitojë Rama, por sa do të zgjasë kjo gjë dhe kush do të mbetet nga ne të shohë fundin e tij politik.

Nëse nesër 30 ministra të shkojnë në burg dhe 40 deputetë hetohen, ky sistem politik që ka ngritur, do i gjenerojë të rinj, më të bindur, më të heshtur, më të mjerë. Sepse nuk është më sistem qeverisës, është makineri pushteti që përtyp dhe riciklon gjithçka, me një lehtësi që tremb edhe më besnikët.

Fitorja e Ramës është realisht një humbje për demokracinë. Dhe më e keqja: nuk tremb më opozitën – ata janë të mpirë prej kohësh – por tremb vetë rilindasit. Sepse një lider që nuk ka më asnjë pengesë, nuk ka më as nevojë për maska. Ai është tani lideri absolut, në majë të frikshme, ku nuk i bën më fresk askush, përveç oborrtarëve.

Opozita: Bar i përjetshëm, siç tha ambasadorja

Nga ana tjetër, kemi PD-në. Ajo që humbi për të katërtën herë, por që vazhdon të sillet si të ishte në vitin 2005, me po atë hero kombëtar, me po atë flamur, me po atë mëri të vjetër. Po të ishte politikë kjo që ndodh aty, do thoshim: “Tragjedi!”. Por kjo është teatër i keq, një farsë që s’bind më askënd, përveç militantëve që thërrasin: “Berisha është i persekutuari i radhës!”.

Në fakt, Berisha është fituesi i vetëm real në opozitë. Ai nuk ka humbur asnjë betejë brenda PD-së. Ai ka djegur çdo zë kritik, ka përjashtuar, ka turpëruar, ka flakur jashtë çdo njeri që ka guxuar të ketë një mendim ndryshe.

PD sot është një pronë private, një bunker i kohëve të shkuara, që jeton vetëm për mbijetesën e pronarit.

Në këtë opozitë, nuk lejohet ndryshe. Ti nuk mund të jesh kundër Berishës dhe të mbijetosh. Prandaj, kush flet ndryshe, largohet ose përdhunohet politikisht. Dhe më keq akoma: prandaj Berisha do të vazhdojë të fitojë… por vetëm brenda partisë së tij. Jashtë saj, nuk ka më asnjë shqiptar që nuk e ka kuptuar atë shprehjen e ambasadores amerikane: “Me Berishën do hani bar!”

Shansi i humbur i partive të reja

Po ku ishin partitë e reja? Ato që u shfaqën me premtimin për ndryshim, për guxim, për qasje të re?

Në vend që të bëheshin bashkë dhe të përfaqësonin elektoratin gri, ata që nuk duan as Ramën e as Berishën, ata s’bënë asgjë. Përkundrazi, garuan si ego të ndara, si projekte personale. Dhe rezultati? Askush s’i mori seriozisht. Sepse në Shqipëri, askush nuk beson më te shpëtimtarët e vetmuar.

Këto parti kanë potencial. Janë pa barrën e korrupsionit, pa kriminelë në listë, pa servilizmin e vjetër. Por nuk bëhen dot alternativë pa bashkëpunim, pa organizim, pa projekt politik të përbashkët. Sepse kur vetëm vërtitesh me flamurin tënd, në vend që të ngresh një front, mbetesh i parëndësishëm.

Nëse vazhdojnë kështu, do mbeten nota folklorike në valle politike, ashtu siç e parashikoi Konica dhe Fishta: më kollaj mbush një thes me pleshta, sesa bashkon dy shqiptarë për një kauzë.

Fund? Jo. Fillimi i një agonie të gjatë

Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin fundi i një beteje, por nisja zyrtare e një cikli të ri të ngurtësimit të demokracisë. Kur pushteti bëhet absolut, kur opozita kthehet në kult personal, dhe kur alternativa mbetet jashtë loje, nuk kemi më garë politike, por sundim të pashmangshëm.

Në këtë situatë, populli ka vetëm dy zgjedhje: të shkojë në emigrim ose të dalë në rrugë. Por siç duket, shumë kanë zgjedhur të parën. E për të dytën, do duhet shumë më tepër sesa zgjedhje të tjera. Do duhet shpresë e re, liderë të rinj, dhe mbi të gjitha, një popull që nuk e ka harruar ç’është turpi dhe përgjegjësia.

Publikuar nga Publik Media