Berisha nga Kruja: Rama ka bërë pazar me Dumanin për dosjen e vilës në Surrel – PD në pushtet do ta hapë sërish
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar sot një tjetër akuzë të fortë nga qyteti i Krujës, duke deklaruar se Kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, kanë bërë një marrëveshje për të mbyllur hetimet mbi dosjen e vilës luksoze në Surrel.
Sipas Berishës, dy ditë më parë, në ambientet e SPAK-ut është zhvilluar një mbledhje e jashtëzakonshme që ngjante si “rënia e një bombe”. “Ky dilte pasdite e thoshte se burrë më të mirë se Altin Dumani nuk ka Shqipëria, sepse si duket kishin bërë pazarin. Pazar për të mbyllur dosjen. O Edvin, le ta mbyllësh edhe 100 herë, por toka është aty,” u shpreh ai me tone të forta.
Berisha e lidhi gjithashtu këtë zhvillim me aferën e inceneratorit të Tiranës, duke theksuar: “130 milionë euro janë zhdukur me të djegësin. Kjo nuk harrohet. Ne do ta hapim përsëri çdo dosje.”
Në fund, ai paralajmëroi se një qeveri e ardhshme e drejtuar nga PD nuk do të lërë asnjë skandal të pahetuar dhe se askush nuk do të jetë mbi ligjin, përfshirë edhe vetë kryeministrin aktual.