2.046 kandidatë në garë për 140 vende në Parlament

Mbi 3.7 milionë qytetarë zgjedhin deputetët që do t’i përfaqësojnë!

Qytetarët shqiptarë u drejtohen sot qendrave të votimi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.

3.713.761 qytetarët do t’u drejtohen sot 5225 qendrave të votimit në të gjithë vendit. Prej tyre, 114.642 qytetarë ushtrojnë të drejtën e votës për herë të parë.

Vota e diasporës

Risia më e madhe e këtyre zgjedhjeve është përfshirja e diasporës shqiptare në procesin e votimit. Për herë të parë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësinë të votojnë nga vendet ku jetojnë, falë një platforme elektronike të regjistrimit, e cila ishte aktive nga 11 janari deri më 11 mars 2025.

Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.

Gjithsej u dërguan në diasporë 245,935 zarfe me fletët e votimit, prej të cilave 227,097 u morën nga zgjedhësit.
Në përditësimet e fundit të KQZ, bëhet me dije se 181,609 zarfe kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Rreth 93% e zgjedhësve nga diaspora kanë marrë fletën e votimit, dhe 81% e tyre e kanë plotësuar dhe kthyer në KQZ, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora.

Subjektet politike:

Në garë për sa më shumë vende në Kuvend janë 11 subjekte zgjedhore.
1. -Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2. Partia Lëvizja Bashkë
3. Lëvizja Atdheu
4. Koalicioni Euroatlantik
5. Partia Socialiste
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
8. Aleanca Demokracia e Re
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
10. Partia Mundësia
11. Partia Social Demokrate
(Renditja sipas numrit rendor në fletën e votimit)

Si ndahen mandatet sipas qarqeve:

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark.Sipas listës së miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi ndarjen e mandateve në 12 qarqet e vendit, 140 karriget në Kuvend ndahen si më poshtë:

1-Qarku Berat 7 mandate
2-Qarku Dibër 5 mandate
3-Qarku Durrës 14 mandate
4-Qarku Elbasan 14 mandate
5-Qarku Fier 16 mandate
6-Qarku Gjirokastër 4 mandate
7-Qarku Korçë 10 mandate
8-Qarku Kukës 3 mandate
9-Qarku Lezhë 7 mandate
10-Qarku Shkodër 11 mandate
11-Qarku Tiranë 37 mandate
12-Qarku Vlorë 12 mandate

Publikuar nga Publik Media