Mbi 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote neser vendosim fatin e Shqipërisë

Fushata zgjedhore në Shqipëri u mbyll zyrtarisht mbrëmjen e së premtes, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit, më 11 maj. Pas javësh të tensionuara me aktivitete politike intensive, mitingje të shumta dhe përplasje mes forcave rivale, vendi ndodhet tashmë në një moment qetësie dhe reflektimi. Në këtë fazë përmbyllëse, fokusi largohet nga retorika politike dhe zhvendoset tek qytetari, i cili do të vendosë me votën e tij për përbërjen e Kuvendit të ri.

Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë. Kjo përfshirje për herë të parë e votuesve jashtë vendit pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në rezultatin përfundimtar.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvend janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë paraqitur në lista të hapura dhe të mbyllura. Secili subjekt garon me 186 kandidatë në listën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku 46 prej tyre janë nga lista e mbyllur.

Koalicioni opozitar mbylli betejën elektorale me një tubim në Bulevardin e Ri, duke ftuar qytetarët në votë kundërshtuese ndaj qeverisë aktuale. Në të njëjtën kohë Partia Socialiste përmbylli fushatën me një miting pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

E shtuna shënon ndalimin e çdo aktiviteti politik publik, në përputhje me dispozitat e ligjit zgjedhor, i cili garanton një ditë qetësie për reflektim përpara hapjes së kutive të votimit.

Publikuar nga Publik Media