Mbyllet pa gola sfida në “Air Albania” me Serbinë

Shqipëria barazon pa gola ndaj Serbisë në “Air Albania”, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.  Kuqezinjtë treguan dëshirë të madhe që në fillim

Përfundon me rrjeta të paprekura sfida e luajtur në “Air Albania” mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Grupit K të Kupës së Botës 2026.

Takimi nisi me vërshëllima shurdhuese, teksa në fushë ishte duke u ekzekutuar himni i Serbisë.

Në një moment kapiteni i Serbisë, Aleksandër Mitroviç, preku veshin, si pasojë e zhurmës së madhe që tifozët shqiptarë shkaktuan gjatë ekzekutimit të himnit serb.

Ndërkohë sa i përket lojës, Serbia e nisi më mirë duke mbajtur topin, ndërsa Shqipëria të vetmin rast deri në minutën e 11 e krijoi me Mario Mitajn.

Mbrojtësi i gjetur i pambuluar gjuajti fort nga distanca, por topi u kontrollua nga portieri kundërshtar.

Në miuntën e 17, Pavloviç u ndëshkua pas një faulli ndaj Armando Brojës.

Ndërkohë 2 minuta më pas, një vendosje e gabuar e Gjimshitit e vendosi atë në një pozicion të pavavorshëm ndaj Vlahoviç dhe më pas detyrohet të kryejë faull. Arbitri nuk fali dhe ndëshkoi me të verdhë kapitenin e Shqipërisë.

Gjimshiti tashmë do të mungojë në ndeshjen kundër Letonisë më 10 qershor.

Mbrojtësi kuqezi është i vetmi që ishte ndëshkuar me karton të verdhë në dy ndeshjet e para kualifikuese dhe tashmë do të humbasë transfertën e rëndësishme për Shqipërinë.

Nga goditja e dënimit, Vlahoviç goditi, kërcënoi me një gjuajtje të fortë, por fatmirësisht pa shënjestrën e duhur.

Në minutën 35, krosim i bukur nga Hoxha, Manaj goditi me kokë, por topi shkoi jashtë kuadratit.

Në minutën e 42, Laçi u pengua, goditje dënimi për kuqezinjtë, Asllani krosoi në zonë, por topi i goditur me kokë nga Ajeti përfundoin jashtë. Në fund të pjesës së parë, Hysaj fitoi me zotësi një penallti, pasi u pengua nga Samarxhiç brenda zonës, topin e mori Manaj, por goditja e sulmuesit kuqezi u prit nga Petroviç. Pjesa e parë u mbyll 0-0.

Në minutën e 48, Broja u shkëput në të djathtë, arriti fundoren, por pasimi i tij u largua në këndore.

Serbia edhe pse në vështirësi ishte pranë golit në minutën e 53, por Strakosha u tregua i gatshëm duke kryer një pritje spektakolare.

Pas një harkimi nga e majta, topi shkon te Mitroviç, i cili gjuan me kokë, por gjeti përgjigjen e portierit kuqezi.

Me këtë barazim, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 4 pikë, ndërsa Serbia mban vendin e 4 me  1 pikë.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 9 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 4 pikë, Letonia në vendin e 3 me 3 pikë, Serbia në vendin e 4 me 1 pikë, ndërsa Andorra mbyll grupin me 0 pikë.

Ndeshjen e radhës, Shqipëria do ta luajë të martën në transfertë përballë Letonisë në orën 20:45.

Publikuar nga Publik Media