Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë e Parë me 40 patriotë, Rama do të shpallë Pavarësinë e Dytë me 40 hajdutë
Nga Naim Noka
Edi Rama ka 12 vite që sundon Shqipërinë me pushtet absolut, si askush tjetër në historinë e këtij vendi. Ka kapur drejtësinë, median, ekonominë dhe çdo institucion të rëndësishëm, duke e shndërruar shtetin në një regjim personal. Dhe pas gjithë këtyre viteve, çfarë u premton shqiptarëve? Jo llogaridhënie, jo zhvillim të prekur me dorë, por një tjetër mashtrim madhështor: shpalljen e Pavarësisë së Dytë të Shqipërisë duke e anëtarësuar vendin në BE.
Po çfarë është kjo pavarësi e dytë? Një rrëfenjë e bukur për të fshehur faktin se pas 12 vitesh në pushtet, Rama nuk ka sjellë asgjë tjetër veç korrupsionit të përhapur, emigracionit masiv dhe shkatërrimit të institucioneve. Në vitin 2013 premtoi një Rilindje që do të bënte shtetin funksional, por në vitin 2025 shqiptarët po largohen më shumë se kurrë, sistemi shëndetësor është në kolaps, arsimi është shkatërruar dhe drejtësia është bërë një instrument politik i qeverisë.
A janë kaq “budallenj” shqiptarët?
Në propagandën e tij të pandalur, Rama e paraqet veten si një udhëheqës që nuk kërkon fitoren për vete, por për Shqipërinë. Por a mund të besohet më kjo? A mund të ketë ende shqiptarë që e besojnë se ai do ta fusë vendin në BE, kur pas 12 vitesh nuk ka bërë asgjë për ta afruar realisht? A nuk është ky po ai kryeministër që e ka kthyer Shqipërinë në vendin me korrupsionin më të lartë në rajon, me pastrimin më masiv të parave dhe me eksodin më të madh të rinisë?
Në fakt, ajo që Rama po premton nuk është Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, por vazhdimi i një sundimi që e ka kthyer vendin në një monarki të fshehtë. Dhe për këtë, ai përdor të njëjtat metoda të njohura: propagandën e fuqishme mediatike, kontrollin e drejtësisë dhe një rrjet klientelist të 40 oligarkëve dhe besnikëve të tij, që kanë vjedhur Shqipërinë deri në palcë.
Alibaba me 40 hajdutë
Përrallat e Ramës nuk janë të reja. Kjo nuk është asgjë më shumë se një version modern i Alibaba dhe 40 hajdutëve, ku ai luan rolin e “shpëtimtarit” ndërsa pas tij fshihet një sistem i tërë grabitqarësh që kanë zaptuar çdo sektor të jetës publike. Diferenca e vetme? Në përrallën origjinale, hajdutët përfunduan të zhdukur. Në Shqipërinë e sotme, ata janë më të fuqishëm se kurrë.
Nëse shqiptarët e besojnë sërish këtë mashtrim, atëherë ndoshta Rama ka të drejtë: Shqipëria qenka me të vërtetë një “kënetë”, ku gjithçka kalbet dhe askush nuk ka forcë të çlirohet prej saj.
Edi Rama dhe këneta e pushtetit absolut
Asnjë kryeministër më parë nuk ka pasur një kontroll kaq të plotë mbi çdo qelizë të shtetit, mbi drejtësinë, median dhe financat e vendit. Megjithatë, pas 12 vitesh, kur gjithçka ka kaluar në duart e tij dhe kundërshtarët politikë i ka përndjekur, burgosur apo neutralizuar, ai ende nuk ka asnjë argument për të mbrojtur qeverisjen e tij. Dhe kur nuk ka më argumente, përdor epitetet: opozitën e quan “kënetë”, ndërsa Berishën “buf”.
Por le të ndalemi pak te kjo logjikë. Nëse opozita është këneta, atëherë Rama është kryeministër i kënetës. Dhe kënetat, siç dihet, janë habitatet më të qëndrueshme në natyrë: mund të plaken zhabat, të sfiliten bretkosat, të çmenden zhapikët, por këneta nuk thahet. Dhe këtë e ka siguruar më së miri ai vetë. Për 12 vite, Edi Rama ka ndërtuar një regjim ku gjithçka sillet rreth tij, ku oligarkët përlajnë arkat e parave publike me koncesione, ku opozita përndiqet si armiq të brendshëm dhe ku populli detyrohet të emigrojë për t’i shpëtuar varfërisë.
Por nëse shqiptarët nuk e pranojnë më këtë realitet, atëherë Pavarësia e Dytë e vërtetë e Shqipërisë nuk është anëtarësimi në BE, por çlirimi nga sundimi i një njeriu që ka rrënuar çdo shpresë për një të ardhme më të mirë.
Ndaj më mirë një “buf” apo një hajdut paraekselencë edhe 4 vite të tjera?