MIrel Mërtiri dhe Klodian Zoto cilësohen nga SPAK si krerët e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët arritën të pastronin 20 milionë euro në kompani guackë në Holandë.
Dy pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, sekuestruar verën e 2023 janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por prokuroria ka zbuluar së fundmi, se ata kanë bashkëpunuar me shtetas shqiptarë dhe të huaj për të bërë pastrim parash.
SPAK njoftoi këtë të martë detaje lidhur me 8 urdhër arrestet e firmosura së fundmi ndaj shtetasve Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Ilir Dedja, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, italianit Giusepe Ciaffaglione dhe Marc Lappat e Michael Druijts të cilët janë mbajtës të pasaportës holandeze. Asnjëri prej tetë të kërkuarve nuk është arrestuar nga policia. Por nga hetimet është provuar se ata kanë ngritur një skemë të pastrimit të parave përmes një zinxhiri kompanish.
“Arkitekti” i kësaj skeme dyshohet sipas SPAK të jetë Mirel Mërtiri dhe krahu i tij i djathtë Klodian Zoto.
“Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash”, njoftoi prokuroria.
Hetimet për inceneratorin e Tiranës janë duke vijuar në drejtim të zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës.
Inceneratori i Tiranës me vlerë investimi 128 mln euro nuk është ndërtuar fare dhe mbetjet në landfillin e Sharrës inkapsulohen.