Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane, Miley Cyrus, ka ndarë së fundmi një rrëfim personal lidhur me një përvojë të vështirë shëndetësore që përjetoi gjatë një performance live, e cila u kthye në një pikë kthese për jetën e saj personale dhe profesionale.Në një intervistë me gazetarin Zane Lowe, 32-vjeçarja zbuloi se gjatë shfaqjes së Vitit të Ri “Miley’s New Year’s Eve Party” të transmetuar në vitin 2023, të cilën e prezantoi bashkë me ikonën Dolly Parton, pësoi një këputje të kistit ovarian, një gjendje e dhimbshme dhe e paparashikuar që ndodhi teksa ndodhej në skenë.“Pata një urgjencë mjekësore. Nuk e dinim saktësisht se çfarë po ndodhte. Ishte shumë traumatike, sepse ishte e padurueshme dhe unë po e vazhdoja shfaqjen normalisht. Por ishte vërtet shumë e vështirë për mua”, u shpreh Cyrus.Ngjarja, sipas saj, e çoi drejt mendimit për të hequr dorë nga muzika. Por një bisedë me producentin e njohur Lorne Michaels rezultoi vendimtare për të mos braktisur artin:“Gjashtë muaj. Secili ka gjashtë muaj për të ndjerë keqardhje për veten. Nuk keni idenë se sa artistë janë ulur në këtë karrige dhe më kanë thënë se po e lënë muzikën. Të gjithë kalojnë nëpër këto përvoja traumatike,” i kishte thënë Michaels.Pas kësaj periudhe sfiduese, Miley Cyrus mori një vendim që solli një transformim rrënjësor në jetën e saj: hoqi dorë nga përdorimi i alkoolit dhe marijuanës, duke u përqendruar te mirëqenia dhe vetja. Ajo e përshkroi këtë hap si një rikthim drejt vetvetes dhe një proces rritjeje personale.
