Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë sot në takimin e Ministerialit të Procesit të Berlinit, të Ballkanit Perëndimor, mbi Ekonominë Kreative, që u mbajt në Kotorr, të Malit të Zi, ku u shpall Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri bën me dije se Shqipëria është qendër të Ekonomisë Kreative në Ballkanin Perëndimor.
Gonxhja njofton se sot u shpall Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative, në drejtimin e të Ngarkuarës Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Postimi i plotë
Shqipëria në qendër të Ekonomisë Kreative në Ballkanin Perëndimor!
Në Takimin Ministerial të Procesit të Berlinit, të Ballkanit Perëndimor, mbi Ekonominë Kreative, në Kotor – Mali i Zi, u shpall Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative, në drejtimin e të Ngarkuarës Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Zyrës Qendrore të British Council, në prezencë të përfaqësuesve të Bankës Botërore, institucioneve dhe organizatave partnere.
Theksuam progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet pozitive në sipërmarrjet e reja, ekonomi, turizëm, inovacion e teknologji.
Ekonomia kreative s’është më alternativë, por një motor zhvillimi që mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar në ekonomi dhe mbi 70 mijë vende pune në Shqipëri!
Raundi i parë i fondeve nis menjëherë, ndërsa i dyti zyrtarizohet në tetor në Londër.
Shqipëria po afirmohet si një aktor me dinjitet në hartën kulturore dhe ekonomike të Evropës, ku ngritja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u çmua si një shembull domethënës i qeverisjes në përputhje me agjendën globale të zhvillimit ekonomik të qendrueshëm e inovativ!