Mbrëmjen e djeshme, Miri (West Side Family) ka ndarë një rrëfim të ndjerë për fillimet e tij në muzikë, krijimin e grupit West Side Family dhe humbjen e parakohshme të mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, Dr. Flori.
Ai tregoi se gjithçka nisi në adoleshencë, kur njohu Florin dhe Roland Hysi (Landi), dy persona që do të ndikonin thellë në rrugëtimin e tij artistik. Sipas tij, ishte pikërisht Flori ai që i dha shtysën e parë drejt muzikës.
“Nisëm shumë thjeshtë, me një magnetofon dhe një kasetë. Flori ishte ai që këndonte dhe shkruante tekstet, ndërsa ne të tjerët e ndiqnim me pasion,” rrëfeu ai, duke kujtuar hapat e parë që më pas do të shndërroheshin në një histori suksesi.
Kënga që shënoi nisjen e karrierës së tyre ishte “Tik Tak”, e cila u regjistrua me një shumë simbolike për kohën. Më pas, grupit iu bashkua edhe Landi, duke formuar kështu trinomin që do të merrte emrin West Side Family — një emër që, sipas Mirit, simbolizonte lidhjen e fortë mes tyre si një familje e vërtetë.
Rrëfimi mori një kthesë më emocionale kur ai kujtoi momentin kur mori lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Florit, më 17 nëntor. Në atë kohë ndodhej në Gjermani dhe personi i parë që telefonoi ishte Landi.
“Ishte një nga ditët më të errëta të jetës sime. Nuk doja ta besoja, por ishte e vërtetë,” u shpreh ai, duke e cilësuar Florin si një burim të pashtershëm frymëzimi për breza të tërë.
Ai tregoi gjithashtu se rikthimi i grupit në skenë u nxit nga vëllai i artistit të ndjerë, Alban Kondi, i cili i inkurajoi ta kthenin dhimbjen në forcë.
“Ne nuk e kemi menduar kurrë që Flori nuk është më. Ai është gjithmonë me ne dhe brenda nesh,” tha Miri, duke shtuar se kujtimi i tij vazhdon ta motivojë në çdo hap.
Pas këtij rrëfimi prekës, ai u transferua në studion e Big Brother VIP Albania, ku u surprizua nga Landi dhe këngëtarja Vesa Smolica. Së bashku, ata performuan këngën më të re të grupit, “Gënjeve”, duke sjellë emocione të forta për publikun.







