Takimi diplomatik në rezidencën gjermane, sinjal i qartë për qeverinë shqiptare
Pak ditë më parë, në rezidencën e ambasadorit gjerman në Tiranë, Karl Bergner, u zhvillua një takim i rëndësishëm me pjesëmarrjen e kreut të KQZ-së Ilirian Celibashi, kreut të SPAK Altin Dumani, kryeprokurorit Olsian Çela dhe shefit të misionit të OSBE-së në Shqipëri. Në takim morën pjesë gjithashtu ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Italisë.
Kjo mbledhje, larg së qenit një takim rutinë, duket të jetë pjesë e një aksioni të gjerë diplomatik të Berlinit për të siguruar që zgjedhjet e 11 majit të jenë të lira, të ndershme dhe pa ndikim kriminal. Kjo qasje është pjesë e politikës së re të Gjermanisë së kancelarit Friedrich Merz, që vendos standarde të qarta për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në Bashkimin Europian.
Në njoftimin zyrtar të ambasadës gjermane, mesazhi ishte i drejtpërdrejtë dhe i qartë: “Organizimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, gjithashtu në lidhje me aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.”
Burime diplomatike Perëndimore i kanë thënë “Pamfletit” se Berlini nuk do të njohë legjitimitetin e një pushteti që vjen nga zgjedhje të manipuluara, ku blerja e votës, shantazhi dhe ndërhyrja e krimit bëhen mjetet kryesore për rezultatin zgjedhor. Gjermania ka vendosur një precedent të qartë në Serbi, ku zgjedhjet u përsëritën pas kontestimeve për manipulime në bashkinë e Beogradit. Kjo tregon një pozicion krejt të ndryshëm nga ai i administratës Trump, duke veçuar qartësisht biznesin nga standardet dhe vlerat europiane.
Burimi diplomatik e cilëson këtë takim si sinjalin e parë të një politike më të ashpër gjermane kundër Edi Ramës, duke sugjeruar se nëse zgjedhjet manipulohen ose ndikohen nga krimi, Gjermania dhe BE nuk do ta njohin legjitimitetin e shumicës parlamentare që mund të dalë pas 11 majit. Madje, në një skenar të mundshëm, nuk përjashtohet as kërkesa për një kabinet të ri qeveritar pa Ramën në krye.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka shprehur qartë mbështetjen e tij të fuqishme për SPAK-un dhe drejtësinë shqiptare, duke financuar dhe ofruar ekspertizë direkte përmes EURALIUS-it dhe OMN-së, struktura të drejtuara nga zyrtarë të lartë europianë.
Në këtë kontekst, task-forca kundër krimit zgjedhor është pajisur me teknologji të avancuar për të identifikuar dhe parandaluar ndërhyrjet kriminale. Synimi kryesor është të parandalohet dhe të ndëshkohet çdo aktor kriminal që përpiqet të ndikojë në rezultatet zgjedhore.
Nëse skandali i ndikimit kriminal në zgjedhje thellohet, mundësia që Gjermania dhe BE të njohin rezultatet zgjedhore, por jo legjitimitetin e një pushteti të manipuluar, është plotësisht e hapur, duke vendosur kështu një precedent të rëndësishëm për demokracinë shqiptare./Pamfleti