Publik.al | 8 Maj 2025 – Prej së shtunës së kaluar, fati i Ardit Beshirit, 29-vjeç, vijon të mbetet i panjohur. I riu u rrëmbye nga një masiv inertesh dhe mineral kromi, bashkë me fadromën me të cilën po punonte, pas çarjes së një rezervuari artificial të përdorur për filtrimin e ujërave teknologjike pranë një fabrike përpunimi kromi në zonën e Qafë-Burrelit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj, në ambientet e jashtme të fabrikës që muajt e fundit është vënë në shfrytëzim nga një kompani kineze. Në rrethana ende të paqarta, rezervuari ka pësuar një çarje të menjëhershme, duke shkaktuar një vërshim të fuqishëm inertesh që mori me vete mjetin dhe operatorin e tij, Ardit Beshirin.
Që prej asaj dite, forcat e kërkim-shpëtimit, strukturat e emergjencave civile, banorë të zonës dhe familjarë janë angazhuar pa ndërprerje në përpjekjet për gjetjen e 29-vjeçarit. Terreni i vështirë dhe sasia masive e materialit të rrëshqitur kanë vështirësuar ndjeshëm operacionin. Kërkimet janë përqendruar përgjatë përroit që derdhet në lumin Mat, si dhe në drejtim të fabrikës ku ndodhi tragjedia.
Në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ndërsa gjatë ditës së djeshme në ndihmë kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë së Kosovës. Pasditen e së mërkurës është gjetur një fragment i fadromës me të cilën punonte Beshiri, duke çuar në rrethimin e zonës për vijimin e kërkimeve intensive.
Ngjarja ka ngritur shumë pikëpyetje mbi standardet e sigurisë në aktivitetin minerar dhe përgjegjësinë e kompanisë që menaxhon objektin. Deri më tani, asnjë institucion nuk ka dhënë shpjegime për shkaqet e çarjes së rezervuarit.