Tenderat që shërojnë vetëm milionerët: Rasti i firmës MSE dhe lidhjet me Arbër Teqjan
Tenderat në sektorin e shëndetësisë, që duhet të ishin garanci për shëndetin e qytetarëve, janë kthyer në një skemë sistematike pasurimi për një rreth të ngushtë individësh të lidhur me pushtetin. Kjo tashmë nuk është thjesht një perceptim publik apo aludim i zakonshëm, por një realitet i faktuar me dokumente zyrtare, përjashtime nga prokurimet dhe transaksione të dyshimta që kalojnë kufijtë kombëtarë.
Në qendër të kësaj skeme ndodhet kompania MSE sh.p.k, një nga firmat më të përfolura për fitimin e tenderëve publikë në mënyrë të paracaktuar dhe të dyshimtë. Kjo kompani ka arkëtuar dhjetëra milionë euro nga QSUT, Ministria e Shëndetësisë dhe spitale të tjera rajonale, përmes mashtrimesh me dokumentacion të falsifikuar dhe keqinformim të autoriteteve kontraktore.
MSE, nga QSUT në Shkodër – një model i përsëritur mashtrimi
Sipas dokumenteve zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), më 22 maj 2025, është marrë vendimi për përjashtimin e kompanisë MSE nga e drejta për të fituar tenderë për 12 muaj, për shkak të mashtrimit në një procedurë të zhvilluar nga Spitali Rajonal i Shkodrës.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Mirëmbajtja full risk e pajisjeve mjekësore të prodhuesit Philips”, me vlerë 23 milionë lekë pa TVSH, ku MSE kishte dorëzuar dokumente të rreme për qëllime kualifikimi.
Ky nuk është rasti i parë.
Në shkurt 2025, APP përjashtoi të njëjtën kompani nga tenderët publikë për mashtrim në një super tender në QSUT, me një fond limit prej 88.8 milionë lekësh. Edhe në këtë rast, MSE kishte paraqitur dokumente të falsifikuara për mirëmbajtjen e pajisjeve të prodhuesve Philips, Siemens, Toshiba dhe GE Healthcare.
Arbër Teqja – nga pronar në hije, tek transaksionet me rusë dhe bullgarë
MSE ka qenë në pronësi të Arbër Teqjes, i njohur si djali i nëndrejtoreshës së QSUT, znj. Arjana Strakosha. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), në qershor 2023, Teqja ka shitur 80% të aksioneve të kompanisë një shoqërie holandeze të quajtur Cambridge Pathology B.V.
Pas kësaj kompanie qëndron një strukturë pronësie me shtetas të huaj: Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare, dhe Nikita Vinogradov, shtetas rus i lindur në vitin 1991. Kjo skemë pronësie ngre dyshime serioze për pastrim parash dhe fshehje të përfituesve realë, ndërkohë që firmat e lidhura me këto emra vijojnë të përfitojnë miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Kush i dha tenderët? Pse nuk ka hetim penal?
Pavarësisht se APP ka vendosur sanksione administrative dhe përjashtime nga tenderët për këtë kompani, asnjë hetim penal nuk është nisur nga Prokuroria apo SPAK për skemat e dyshuara të mashtrimit dhe korrupsionit.
Është evidente se këto tendera nuk mund të fitoheshin pa ndihmën dhe firmën e zyrtarëve të lartë të shëndetësisë, të cilët duhet të hetohen për shpërdorim detyre dhe favorizim. Nëse ka dokumente që faktojnë mashtrimin, pse mungon përgjegjësia penale?
Skema që po pasuron një pakicë, me koston e shëndetit publik
Në një vend ku mungojnë barnat bazike, ku pacientët detyrohen të blejnë medikamente dhe të paguajnë ryshfete për analiza, paratë publike për shëndetësinë po shpërdorohen përmes skemave që ngjajnë më shumë me një serial kriminal ekonomik, sesa me menaxhim të ndershëm të fondeve publike.