Vendimi i KPP i jep tenderin Arbër Abazit
Veprimet e KPP mund të përmblidhen në tri fjalë: Jepjani tenderin Abazit! Në mbledhjen e datës 28 maj 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim për herë të dytë procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare Demir Gashi, Bashkia Dibër 2024”. Kryetar Myzyri ishte i pakënaqur nga moszbatimi i vendimit të KKP i datës 29 prill 2025 për tenderin e zhvilluar me datë 21 janar 2025 nga Bashkia Dibër.
Ankimues është biznesmeni Arbër Abazi i cili është paraqitur në tender me kompanitë e tij “Alko Impex Construction” SHPK & “Alko-Impex General Construcion” SHPK.
KPP e kishte pranuar kërkesën e Abazit për shfuqizimin e vendimit të Spahiut që e kishte skualifikuar nga gara, Ndërkohë urdhërohej Bashkia Dibër “të rishikojë arsyet e skualifikimit të operatorit ekonomik BOE “Alko Impex Construction” & “Alko-Impex General Construcion” SHPK dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara”.
Po ashtu u urdhërua Autoriteti kontraktor të anulonte procedurën e mësipërme të prokurimit.
Kur Spahiu e la jashtë garës për herë të dytë nipin e oligarkut Sadri Abazi, atëherë Myzyri nxori vendimin pasues që bllokon tenderin e Bashkisë Dibër.
Myzyri ‘vartës’ i Abazit
Jonaid Myzyri ka punuar jurist në firmën “ALKO IMPEX”, administrator i së cilës është nipi i ish-deputetit të PS-së, Sadri Abazi, shtetasi Arbër Abazi.
Në vitet 2013-2014, Abazët me anë të lidhjeve politike e promovuan Myzyrin dhe fillimisht e emëruan në KPP si specialist të thjeshtë. Në këtë periudhë KPP-ja drejtohej nga Evis Shurdha, e cila ishte vendosur në krye të këtij institucioni nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi.
Që në fillim të mandatit të saj Evis Shurdha vendosi ta izolonte Myzyrin, pasi e kapi në disa raste si bashkëpunëtor të disa kompanive të biznesit me të cilat ai ishte lidhur nëpërmjet Arbër Abazit.
Nga konflikti me Shurdhën, Myzyri u detyrua të jepte dorëheqjen si specialist dhe kaloi për disa kohë si shef i prokurimeve në ministrinë e Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku. Kur në vitin 2019 nisi të përkeqësohej pozicioni i Evis Shurdhës, u shfaq sërish Jonaid Myzyri duke u rikthyer në KPP, kësaj here si kryetar i tij.
Miku i tij i ngushtë Arbër Abazi u shndërrua në epiqendrën e punëve të pista me tenderat. Arbër Abazi afroi disa juristë dhe kompani private konsulence të cilat bashkë me Myzyrin vendosën që t’i përdorin si sekserë në kontaktet me biznesin.
Ja disa nga rastet flagrante: Në vjeshtën e vitit 2021, Bashkia e Fierit shpall tenderin me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”. Fond limit për këtë tender ishte 198.984.172 lekë të reja.
Kompania “Alko Impeks Construction”, pjesëmarrëse në këtë tender, skualifikohet nga Bashkia e Fierit, për mos-përmbushje kriteresh. Abazi e ankimon vendimin e skualifimit pranë KPP dhe në tetor të atij viti, nën drejtimin e kryetarit Myzyri, pranohet kërkesa e “Alko Impeks”, duke urdhëruar Bashkinë e Fierit për ta shpallur fituese.
Në fund të vitit 2021, Bashkia e Lushnjes zhvillon tender për pastrimin e qytetit. Fondi limit ishte 49.968.489 lekë të reja. Autoriteti kontraktor shpall fituese kompaninë “Alko Impeks”, duke skualifikuar nga gara një bashkim operatorësh.
Këta të fundit ankimojnë vendimin pranë KPP-së. Por, institucioni e rrëzoi kërkesën e tyre, duke lënë në fuqi vendimin e Bashkisë Lushnje për të shpallur fitues “Alko Impeks”.
Në maj 2022, Bashkia e Himarës e skualifikon kompaninë e familjes Abazi nga tenderi për pastrimin e territorit të saj. Fondi limit ishte 289.674. 042 lekë të reja.
“Alko Impeks” ankohet pranë KPP-së së drejtuar nga Jonaid Myzyri dhe kërkesa e saj pranohet, duke detyruar Bashkinë Himarë që ta shpallë fituese të tenderit.
Në Tetor 2022, Bashkia e Vorës e skualifikon “Alko Impeks General Construction” nga tenderi me fond limit 273.460.221 lekë të reja për pastrimin e qytetit.
Sërish, “Alko Impeks” e ankimon vendimin në KPP dhe sërish arrin të marrë vendim pozitiv nga ky institucion.
Në Prill 2023, Bashkia e Pogradecit e shpall fituese kompaninë e familjes Abazi në tenderin “Loti IV, Ura e Zëmçës – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja
Njëri nga pjesëmarrësit në garë kërkon nga KPP skualifikimin e “Alko Impeks”, por më tej ky shqyrtim administrativ u pushua, duke lënë fitues kompaninë e familjes Abazi.
Në korrik 2023, “Alko Impeks” ankimoi vendimin e Drejtorisë Spitalore Dibër për skualifikimin nga tenderi “Rikonstruksioni i godinës spitalore”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja. Edhe në këtë rast, KPP e Joanid Myzyrit u rreshtua në krah në kompanisë së familjes Abazi, duke vendosur pro saj.
Kujtojmë se në 19 nëntor 2023, SPAK hapi hetime për Jonaid Myzyrin dhe Arbër Abazin për korrupsion me tenderat. Më 20 shkurt 2024, kreu i KPP u mor në pyetje për këto çështje në zyrat e SPAK. Më 7 prill 2025, I thirr sërish në SPAK për të dhënë sqarime për akuzat. Më 22 prill 2025, Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri u mor në pyetje për rreth 2 orë e gjysmë si person nën hetim për shpërdorim detyre dhe favorizim të kompanive në tendera.
Kujt ia dha tenderin Spahiu i Dibrës?
Nga ana tjetër edhe kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu nuk del i larë në historinë e këtij tenderi. Komisioni i tij ka skualifikuar disa oferta më të ulëta që do t’i kursenin buxhetit të bashkisë dhjetëra milionë lekë, nëse do të ishin marrë në konsideratë.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. Për shkeljet e konstatuara, tenderi është shënuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Demir Gashi, Bashkia Dibër 2024”, me fondin limit 118 385 642,00 lekë pa TVSH.
Kështu, për t’i hapur rrugën firmës “LIQENI VII” SHA me pronar Ramazan Kalian, është eliminuar BONUS Sh.p.k me ofertën 88.196.167 lekë pa TVSH. Po ashtu, është skualifikuar kompania “INA” shpk e cila propozon ta bëjë këtë punë me 86.896.059 lekë pa TVSH.
Të dyja këto oferta janë dukshëm më të ulëta se sa ajo fituese e kompanisë “LIQENI VII” SHA, e cila ofroi vlerën 98 197 183,00 lekë pa TVSH.
Sonila Meço Pretendimi se denoncimet e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve dëmtojnë imazhin e Shqipërisë…
Seanca parlamentare e ditës së sotme është shoqëruar me përplasje verbale mes deputetëve Taulant Balla…
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka ka akuzuar qeverinë për blerje votash…
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Attention”, duke goditur një rast të rishitjes…
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë. Mësohet se një punonjës…
A fshihet oligarku Pllumb Salillari pas Albania Solar Power dhe emrit Engjëll Agalliu ? Nga…