1 ditë pas Pashkës ndahet nga jeta Papa Françesku

Ndërron jetë njeriu që deri në frymën e fundit dënoi padrejtësitë në botë – zëri i Gazës që mungoi në shumicën e botës islame

Papa Françesku ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Vatikani tha se Papa ka mbyllur sytë në rezidencën e tij.

Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi.

Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita spitalore dhe shqetësime për shëndetin e tij. Më 14 shkurt, Papa u shtrua në spital për trajtimin e bronkitit.

Një ndër figurat më të ndritura të ndërgjegjes njerëzore – një njeri që nuk pati poste politike, nuk mbante pushtet në duar, por që zëri i tij kumbonte më fort se shumë liderë shtetesh. Ai foli për vuajtjet në Gaza, për vrasjen e pafajshme të fëmijëve, për nënat që qanin pa varre, për një popull të tërë të harruar – më shumë dhe më fuqishëm se shumica e udhëheqësve të botës islame.

I pandalshëm përballë hipokrizisë ndërkombëtare dhe heshtjes që rëndon si bashkëfajësi, ai i dha botës një pasqyrë ku shfaqej realiteti i egër i okupimit, gjenocidit dhe padrejtësisë. Fjalët e tij ishin më të forta se çdo propagandë – sepse buronin nga zemra, nga dhimbja e njerëzores, nga e vërteta e pamohueshme.

Sot, ndërsa trupin e ka lënë toka, zëri i tij mbetet i gjallë. Bota humbi një njeri, por fiton një legjendë. Ai ishte për Gazën ajo që shumë shtete e liderë nuk guxuan të jenë: një ndërgjegje e gjallë. Dhe kjo do të kujtohet përjetë.

Papa Françesku, papa i parë latin-amerikan dhe jezuit në historinë e Kishës Katolike

I lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires në vitin 1936, ai u zgjodh papa më 13 mars 2013, duke pasuar Papën Benedikti XVI. Papati i tij u shënua nga përpjekjet për të reformuar Kishën Katolike, me theks të veçantë te përulësia, drejtësia sociale dhe ndihma për komunitetet e margjinalizuara.

Ai ishte një mbrojtës i të varfërve, mbështeti bashkëjetesat civile për çiftet e të njëjtit seks dhe bëri thirrje për heqjen e dënimit me vdekje. Megjithatë, papati i tij hasi edhe kritika nga fraksionet konservatore brenda Kishës, të cilat nuk pajtoheshin me qëndrimet e tij progresive.

Në muajt e fundit, Papa Françesku ishte shtruar në spital për shkak të pneumonisë së dyfishtë, një gjendje e përkeqësuar nga problemet e mëparshme me mushkëritë. Megjithëse pati raportime për përmirësim, ai ndërroi jetë pas një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore.

Tani, Kolegji i Kardinalëve do të përgatitet për konklavën që do të zgjedhë pasardhësin e tij.

Publikuar nga Publik Media