Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka urdhëruar ndalimin e tre efektivëve të policisë dhe një doganieri, të përfshirë në një rast të rëndë të shpërdorimit të detyrës, pas lejimit të kalimit të një kamioni me 442 kg kanabis drejt Malit të Zi.
Ngjarja daton në 17 shtator 2023 dhe ka ndodhur në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”, ku kamioni me targa shqiptare ka kaluar pa probleme, ndonëse sipas hetimeve, procedurat ligjore dhe standardet e kontrollit janë anashkaluar qëllimisht. Mjeti është ndaluar më pas në Pikën Kufitare të “Bozaj” në Mal të Zi, ku autoritetet vendase zbuluan sasinë prej 442.084 kg lëndë narkotike, e dyshuar si “Cannabis Sativa”.
Pas hetimeve disa mujore të zhvilluara nga AMP, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë e Shkodrës, janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për:
Lekë Çerkezi, punonjës policie në “Hani i Hotit”
Fatjon Hamzi, punonjës policie në “Hani i Hotit”
Tonin Melaj, punonjës policie në “Hani i Hotit”
Selami Ethemi, doganier në të njëjtën pikë kufitar
Të katërt akuzohen për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.