Ndotja e ujit/Krimi Ekonomik zbarkon në Njësinë 5

Hetime për ndotjen e ujit në Tiranë, nën hetim Skerdi Drenova dhe Anuela Ristani!

Pas qindra denoncimeve publike dhe situatës alarmante të ndotjes së ujit në Njësinë nr. 5 në Tiranë, strukturat e Krimit Ekonomik kanë ndërhyrë në terren për hetime intensive. Sot, më 11 prill 2025, janë kryer veprime hetimore dhe sekuestro dokumentacionesh, ndërkohë që kanë nisur marrjet në pyetje të zyrtarëve të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.

Në qendër të kallëzimit penal janë vendosur Skerdi Drenova, drejtues i UKT-së, dhe Anuela Ristani, drejtuese e komanduar e Bashkisë Tiranë, të cilët do të hetohen edhe nga SPAK, pas një kallëzimi të depozituar për një sërë veprash të rënda penale:

  • Shpërdorim detyre
  • Ndotje e ujit
  • Krim kundër njerëzimit
  • Vepra të kryera në bashkëpunim

Sipas burimeve nga Krimi Ekonomik, hetimet nisën pas informacioneve të marra nga rrjetet sociale, ku qytetarët denonconin ndotjen masive të ujit të pijshëm në zonat e “Ali Demit”, “Shaban Karaj” dhe lagje të tjera përreth. Ekspertët kanë konstatuar një çarje në tubacionin e nëndheshëm të furnizimit, çka ka sjellë ujë me turbullira dhe mbetje, të rrezikshme për shëndetin publik.

Ndërkohë, në deklarimet e para të dhëna për autoritetet, Dorjan Korbeci, Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes në UKT, ka konfirmuar se dëmtimi i linjës së ujësjellësit në rrugën “Shaban Karaj” ka ndodhur si pasojë e amortizimit të rrjetit, por nuk ka dhënë shpjegime mbi vonesat në ndërhyrje dhe mungesën e transparencës ndaj qytetarëve.

Krimi Ekonomik Tiranë : Sot, më datë 11.04.2025, pas informacioneve të marra nga burime të hapura (rrjetet sociale) lidhur me një problematikë të ndotjes së ujit në disa zona të qytetit të Tiranës, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave. Në vijim të sa më sipër, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, nga ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit. Gjithashtu, i është marrë deklarim si person që ka dijeni shtetasit Dorjan Korbeci, me detyrë Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.

Përpos hetimit të nisur nga Krimi Ekonomik, pritet që ngjarja të ndiqet edhe nga SPAK pas kallëzimit të bërë ndaj Skerdi Drenovës kreu UKT dhe Drejtueses së Komanduar në Bashkinë Tiranë Anuela Ristani.

Denoncimi në Prokurorinë e Posaçme u b⌂ nga gazetari Arsen Rusta, i cili ka kallëzuar kreun e UjësjellësKanalizime Tiranë si dhe kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës. Veprat penale për të cilën janë kallëzuar janë: shpërdorim detyre, ndotje e ujit, krim kundër njerzimit dhe vepra të kryera në bashkëpunim.

“Kreu i UKT- Kreu i Komanduar i Bashkise Tirane. U Kallezuan Penalisht ne SPAK PER SHPERDORIM DETYRE NDOTJE TE UJIT E TOKES SI DHE KRIM KUNDER NJERZIMIT kryer ne Bashkepunim. Kjo qe i keni bere sot Tiranes dhe Banoreve te njesis 5 e KRIMINALE. Ne sdo ju Kap ligji, zoti sdo jua fal VRASESA,”-shkruan gazetari krahas fotos së kallëzimit.

Çfarë ka ndodhur?

Një situatë shqetësuese u denoncua një ditë më parë (10 prill) nga banorët e zonës së Komunës së Parisit në Tiranë. Qytetarët raportuan se për disa orë nuk kanë pasur ujë të pijshëm, ndërsa theksonin se pasi furnizimi erdhi, uji ishte i ndotur dhe me një erë të rëndë. Në lidhje me situatën në një bisedë telefonike me ZËRI-n, një nga punonjëset e UKT-së, u shpreh se ka pasur një çarje të tubit përçues, i cili është mbushur me dhe. Duke iu referuar dhe analizave që pretendojnë se kanë bërë, UKT thekson se nuk ka fekale në ujë, por vetëm dhe.

Në një njoftim në rrjete sociale, Ujësjellësi Lanabregas – Depo Partitar, raportoi se të gjithë turbullirat janë pastruar. UKT bën me dije se qarkullimi i ujit për të gjitha zonat e prekura do të vijojë normalisht. UKT lajmëroi më herët se për shkak të punimeve në linjën DN-700 mm (Lanabregas – Depo Partitar), u shkaktuan probleme me furnizimin me ujë tek Tirana e Re dhe Komuna e Parisit. Por situata mund të ishte parandaluar nëse banorët do të ishin njoftuar më herët në lidhje me punimet.

Publikuar nga Publik Media