Ndotje në Parkun e Vjosës, nën hetim 4 punonjës të Albpetrolit

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një incident i rëndë mjedisor është regjistruar në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës, ku derdhja e mbetjeve hidrokarbure ka ndotur përroin e Gorishovës dhe më pas lumin Vjosë. Ngjarja ka vënë në lëvizje autoritetet, ndërsa katër punonjës të kompanisë së naftës Albpetrol janë vënë nën hetim.

Sipas të dhënave paraprake, një tubacion që transporton naftën nga zona naftëmbajtëse e Drenovës drejt pikës së grumbullimit është dëmtuar për shkak të amortizimit. Çarja e tij ka sjellë rrjedhje të vazhdueshme për disa ditë, duke lejuar përhapjen e ndotjes në rrjedhat ujore që lidhen me lumin Vjosë.

Autoritetet dyshojnë se punonjësit përgjegjës nuk kanë reaguar në kohë për riparimin e defektit, çka ka përkeqësuar situatën dhe ka sjellë pasoja serioze për mjedisin. Materialet janë referuar në Prokurori nga specialistët e krimeve ekonomike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku ka nisur procedimi penal për katër persona të përfshirë në këtë çështje.

Vetëm pas disa ditësh nga konstatimi i rrjedhjes, janë ndërmarrë masa për frenimin e përhapjes së ndotjes, duke vendosur barriera mbrojtëse për të penguar depërtimin e mëtejshëm të mbetjeve në lumin Vjosë.

Zona e Drenovës, ku ndodhen rreth 20 puse aktive nafte, konsiderohet një pikë e rëndësishme e industrisë nxjerrëse, por ky rast ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqet mungesa e mirëmbajtjes dhe kontrollit në infrastrukturën energjetike.

Publikuar nga Publik Media