Amarildo Stoica
Rritja e çmimeve sfidon tendencat sezonale
Ndryshe nga çdo vit tjetër, muaji prill i 2025 nuk solli ulje çmimesh, por përkundrazi një rritje përtej pritshmërive sezonale, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në bujqësi.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, inflacioni vjetor për muajin prill ishte 2.3%, më i larti që nga marsi i vitit 2024. Në teori, inflacioni mbetet nën objektivin 3% të shënjestruar nga Banka e Shqipërisë, por shenjat e ngadalësimit ekonomik dhe presioni mbi çmimet e konsumit, veçanërisht ushqimet, janë shqetësuese.
Ushqimet nxisin inflacionin
Rritja është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që kontribuoi me +1.29 pikë përqindje në inflacionin total. Kjo lidhet me një sezon bujqësor të dobët dhe me çuarjen jashtë tregut vendas të një pjese të prodhimit. Grupi “Mobilje dhe pajisje shtëpie” solli një ndikim prej +0.24 pp, ndërsa qiratë, energjia dhe uji kontribuan me +0.22 pp. Rritje ka pasur edhe te pijet alkoolike, duhani, argëtimi dhe shërbimet në hotele e restorante.
Çfarë ndodh me normat e interesit?
Megjithë rritjen e inflacionit, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, duke sinjalizuar një qëndrim të kujdesshëm. Guvernatori i Bankës ka paralajmëruar se ekonomia shqiptare po shfaq shenja ngadalësimi në tremujorin e parë të vitit.
Treguesit për muajin prill
- Indeksi i Çmimeve të Konsumit (ICC) arriti në 119.8 krahasuar me dhjetorin 2020;
- Ndryshimi vjetor i ICC është +2.3%, krahasuar me +2.1% në prill 2024;
- Ndryshimi mujor (prill vs. mars 2025) është vetëm +0.1%.
Transporti me ndikim negativ
Ndërkohë që shumica e grupeve rritën çmimet, transporti pati ndikim negativ prej -0.16 pp, duke reflektuar ulje të çmimeve të karburanteve apo ofertave sezonale.
Rritje e çmimeve pa rritje reale të ekonomisë
Në një kohë kur konsumi po ngadalësohet dhe sektori bujqësor po vuan, rritja e çmimeve mbetet një barrë për buxhetet familjare. Inflacioni është ende “brenda kufirit të kontrollit”, por pasiguritë strukturore dhe mungesa e prodhimit vendas po e minojnë stabilitetin afatgjatë.
Nëse ky trend vijon, presioni mbi Bankën e Shqipërisë për të vepruar me rritje të normës bazë do të rritet. Por për momentin, konsumatorët janë ata që ndihen më shumë – në çdo faturë, në çdo blerje.