Avni Neza
Mbyllen shkollat, mbyllet administrata, mbyllen kufijtë, mbyllen çezmat (ato mbyllur janë se nuk kanë pasur ujë ndonjëherë, por gjithsesi kontrolloni mirë, edhe ata në Tragjas e Hotolisht, që “shkundën” votën kundër regjimit do kenë të njëjtin fat si kryeqytetasit ), mbyllen lokale, mbyllen karburantet e naftës kontrabandë, mbyllen bankat e parave te “pastra”, mbyllen kantieret e ndërtimit të kullave që ndërtohen me para “bananesh”, mbyllen dyert e shtëpive. Ndalohet da(e)lja ne rrugë, në soleta sigurisht. Ndalohet ecja në male. Gjithçka ndalohet.
Pasi masakroi procesin zgjedhor lideri global, globalizon Tiranën më keq se diktatura e Kim Jon Un. Të gjithë në shtëpi, pushim. Kush ka këllqe të ikë jashtë Tiranës, të ikë me vrap nja tre ditë, të shpëtojë nga diktatura që pas pak ditësh do të pushtojë gjithë Shqipërinë.
Nejse. Policët ishin shumë të sjellshëm. Si në perëndim, rrinin anës rrugës. Furrat e bukës kishin pjekur bukë gjithë natën që në mëngjes të ushqenin shpejt popullsinë se do vijnë ata të Avropit. Ata që gjithmonë komshinj kanë qenë por që gjithmonë nga kanë shikuar nga kodra. 45 vjet diktaturë na lanë rrethuar me tela me gjemba.
Tani mblidhen në Tiranë të konfirmojnë diktaturën e re. Shqiptarët të detyruar të votojnë ashtu siç i thonë patronazhistët me lekë në dorë, apo të hipur në “trenin bullgar” që veç në perëndim nuk i çon, do shikojnë ceremoninë. Sot e nesër presim VIPA nga gjithë Evropa për përkuljet e radhës dhe puthjet e duarve nga Edi Rama. Për pushtet ai lëshon jo vetëm ishuj, fusha, kodra, male e lumenj, por edhe krejt shqiptarët i rrethon me ushtarë si ne kohën e “covidit” të para ‘90.
E sot ne Tiranë ngjante pak si kohë pandemie. Kjo jo nga prezenca e shefes se komisionit Evropian që mori një goditje nga gjykatat për menaxhimin e pandemisë së “vërtetë” por nga sjellja arrogante e pushtetit që mbyllet në strofkullën e tij me të ftuarit, që tu tregojë barsoleta dhe një botë tjetër për Shqipërinë e “lumtur”. Atë botën me ngjyra ylberi që pikturon Edi Rama, e jo botën reale të manipulimit skandaloz të vullnetit të shqiptareve me banda – bandite, kllounë e çyrykë.
Atë botën e vërtetë asnjë nga të ardhurit nga përtej detit nuk do ta shijojnë. Pasi do tu zërë frymën kjo bota e ngjyrosur me propagandë e liderit global. Do tu bllokojë hundët.
Bëni një vizitë rastësore në një shtëpi pensionisti që e ka shit votën për 50 euro, hapeni edhe frigoriferin e tij, që të kuptoni më mirë sa vlejnë këto sa(i)mite që ushqejnë me gjak një diktaturë korrupsioni dhe bandash në Shqipëri. Interesi që Shqipëria të zbrazet e të mbushet me kampe refugjatësh ka fituar terren. Për pushtet Rama kthen në kamp edhe bunkerin e Surrelit. Këto dy ditë po behet prova e parë e rrethimit. Ndaj opozitarët dhe shqiptarët që nuk nënshtrohen duhet të mendojnë seriozisht betejën për çlirimin.
Ata që gjithmonë komshinj kanë qenë, por që gjithmonë nga kanë shikuar nga kodra, vijnë sot në Tiranë. 45 vjet diktaturë na shijuan të rrethuar me tela me gjemba, si në ndonjë film. Tani sërish me tela me gjemba duan të na shohin por me kampe që sponsorizojnë vetë që të sjellin kriminelët e tyre. Dhe ata e dinë që nuk është film. Po shqiptarët, kur do ta kuptojnë?