Në tempullin e marrëzisë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe me UBT-në!

Irena Beqiraj

Sot nga fjala e Rektorit te UBT-së, një pasazh më tërhoqi veçanërisht vëmendjen:

“Ajo që dua të theksoj është fakti që, kjo dalje, edhe unë jam i detyruar se jam rektor i një universiteti që nuk punon i izoluar, por është në një proces që ka nisur prej 3 vitesh falë investimit personal të kryeministrit të vendit”- tha rektori!

Kaq mjaftoi që nga sirtaret e kujtesës të zgjoheshin mësimet e satirës brilante te Erasmus “Lavdërimi i marrëzisë” shkruar rreth fundit të vitit 1509″. Një nga librat më të famshëm në letërsinë botërore, që sipas fjalëve të vet Erasmus-it, atij iu deshën “më pak se një javë për ta shkruar, duke shtuar një vepër e kësaj natyre meritonte edhe më pak kohë se kaq”.

E kush tjetër mund ta lavdëronte marrëzinë veç asaj vetë? Ky do te ishte një konkluzion i arsyeshëm edhe i pranushëm për këdo. Por këtu gabohemi, se në fakt nuk është kështu. Marrëzia e bashkon më lehtë botën. Askush nuk kursehet për të. Të pranosh veset, t’i tejkalosh ato, të jesh i verbër ndaj tyre dhe të mashtrohesh prej tyre, madje t’i duash dhe t’i admirosh si të ishin virtyte edhe pse mund të duket afër marrëzisë, aty bashkoheshin sipas Erasmus- it studiuesit, nëpunësit publikë dhe personalitetet.

“Sa më pak talent të kenë, aq më shumë krenari, kotësi dhe arrogancë kanë. Megjithatë të gjithë këta të marrë gjejnë budallenj të tjerë për t’i duartrokitur”.

“I Marri” që në vepër kishte një përgjigje për gjithçka, kur u vendos para faktit se askush nuk kishte ndërtuar ndonjëherë një tempull për të, ai u përgjigj:

“Jam mjaft i befasuar nga kjo mosmirënjohje, por fundja e gjithë kjo botë është tempulli im… Vetëm për mua e gjithë bota bashkohet duke ofruar sakrifica të pandërprera”.

I gjithë ky vend është tempull i marrëzisë. Ndaj sot rektori ndoshta pa dashje tregoi se e UBT nuk kishte asnjë mundësi të ishte një përjashtim!

Publikuar nga Publik Media