dhe nëna e Ardit Gjoklajt, si nëna e viktimës
Elvi Fundo
Nga CNA u paralajmërua se çfarë do të ndodhte me Erion Veliajn, ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë, filloi ‘kënga’ në media.
Filluan me ‘Eureporter’, ku nxirret nënë Shqiponja, nxjerr një letër gati nga studio ligjore, nga fëmijët, do dalin deputetë, eurodeputetë, këshilltarë, dreq e shejtan, që të na mbështesin ‘zdomsin’ e të na sulmojnë drejtësinë e re, se na e paskan rrëmbyer një hajdut dhe na e kanë futur në burg! BE duhet të ulërasë se një hajdut me kollare është në burg dhe nuk e lënë të punojë që të vjedhë. Qesharake dhe banale sa vetë historia e Erion Veliajt në politikë.
Një letër nënës së kryebashkiakut të prangosur Erion Veliaj, zonjës Shqiponja, e publikuar në media ‘Eureporter’, duket një letër e përgatitur nga përfaqësuesit ligjorë, ku shprehet se ka dhimbje të madhe se djali i saj është në burg, duhet të na flasë BE, psë po mbyllin sytë përballë vlerave mbi të cilat është ndërtuar. Patjetër që nënës i dhemb për fëmijën, por djali i saj është një hajdut me jo pak por 14 akuza në 4 nene të kodit penal dhe rrezikon deri në 15 vite burg. BE nuk është ngritur mbi parime hajdutësh të korruptuarish që firmosin pagesa për gruan, apo i ndërtojnë rrugë në troje ku do ndërtohen pallate. Nuk u ndërtua BE mbi 850 mijë euro brekë që vinin nga hajdutëritë e skemat e pastrimit të parave.
Në fakt, nuk kanë rrëmbyer askënd. Erion Veliaj qëndron në burg me 3 vendime gjykate të dy shkallëve. Është kapur duke prishur prova. Është kapur edhe në përgjime në burg pasi u prangos, i janë shtuar akuza, i janë thelluar hetimet.
Në qoftë se Erion Veliaj lihet i lirë, me gjithë ato shkelje ligjore, sistemi i drejtësisë në Shqipëri jo vetëm nuk është reformuar, por ka ikur siç thotë populli ‘për lesh’. Sepse bien parimet e themeleve të BE dhe një hajdut del i lirë.
Nëna shqiponja dhe Nëna e Ardit Gjoklajt
Në fakt, përtej nëna Shqiponjës, që e ka marrë malli për djalin e saj, ajo ka një fat. Ka një mundësi dhe mund të shkojë ta takojë atje ku ai qëndron, në paraburgim. Ndërsa nëna e Ardit Gjoklajt, i cili ka humbur jetën në ladfillin e Sharrës në verën e vitit 2016, nuk e shikon dot as babai, as famijarët e tij.Arditi u mohua, u përdorën skema e skenarë me vendime gjykate për të thënë se ishte hedhur në landfillin e Sharrës, pra ishte vrarë diku jashtë dhe familjarët e tij thonin se punonte atje.
E shtypi traktori, mjetet që punonin në Sharrë. Ishte fëmijë. Ishte i mitur dhe nëna nuk e ka më atë fëmijë, as babai. Nuk i shkruajnë dot ndonjë letër, apo të shkojë ta takojë në burg. Nuk e kanë pas hekurave. Do të donin ta kishin gjallë dhe të luteshin për procese drejtësie. Nuk do t’i ndihmonte ndoshta një avokat. Nuk do të kishte studio ligjore të paguara me miliona e miliona euro. Nuk do të kishte këshilltarë kryeministrash britanikë, studio ligjore në Angli, apo lobuese në Amerikë, paguar qindra mijë euro.
Nuk do të ndodhte siç po ndodh me nëna Shqiponjën, e cila qan djalin e saj dhe hallin që e ka zënë. Por fatkeqësisht, djalin ia kanë kapur si hajdut dhe e ka gjallë në burg, kurse Ardit Gjoklaj nuk jeton më nga viti 2016.
Mesazhi i nëna Shqiponjës si ushtarake e partisë
Nëna Shqiponja është një grua e fortë ajo ka qenë ushtarake në kohën e partisë me shumë komisarë. Atëherë partia i mësonte bijtë e saj me parime dhe vlera. Ndoshta kohët ndryshuan dhe Erioni nuk mësoi ato që i tha nëna Shqiponja. Por ajo duhet t’ia mësonte.
Nëna Shqiponja duhet t’i fliste djalit të saj edhe kur u bë politikan e hajdut.Kur sulmonte shpifte e akuzonte. Kur genjente e bënte korrupsion. Mund dhe duhet t’i thoshte nëna Shqiponja djalit që vetëquhej Zdroms: “Mos vidh mor bir! Mos bëj korrupsion mor bir! Mos i jep mundësinë gruas të blejë 850 euro brekë mor bir!”
Duhet t’i thoshte: “Kujdes mor bir, kujdes me punës se mos vriten fëmijët! Dhe mos i vrit së dyti duke pasur pushtet”
Duhet t’i thoshte: “Kujdes mor bir, me policinë bashkiake! Mos i rrih nënat e shkreta, plakat e shkreta që shesin për tu ushqyer. Kujdes mor bir, mos i tërhiq zvarrë nënat në rrugë, mos i dhuno ato gratë që shesin në trotuar”.
Duhet t’i fliste nëna Shqiponja të birit, të mos ishte ai famëkeqi që është, ai hajduti që është kapur me fakte dhe prova.
Duhet t’i fliste të mos përdorë mediat për të kërcënuar e shantazhuar gazetarë, media, gjyqtarë, prokurorë. Duhet ta edukonte djalin e saj të mos ishte një copë hajduti, me një grua që blenë 850 mijë euro brekë, siç thonë vemiet mediatike të Erion Veliajt.
Nëna Shqiponja duhet ta mësonte djalin e saj të ishte i dhimbshëm, të mos e mohonte Ardit Gjoklajn. Nëna Shqiponja duhet ta mësonte djalin e saj se me paratë e vjedhura të inceneratorëve, për të mbajtur propagandën mediatike, u varfëruan xhepat e shqiptarëve.
Ndoshta nëna Shqiponja është mirë e bukur, jeton në punën dhe hallet e saj, por Ardit Gjoklaj, i cili nuk harrohet, është në dhe dhé nëna e babai i tij nuk e takojnë dot.
Kurse Erionin, edhe pse nuk e edukoi dot, nëna Shqiponja mund të shkojë ta shikojë në burg, përpara se të dalë dhe të publikojë shkrime apo letra të përgatitura nga studiot ligjore, për të ushtruar presionin e fundit ndaj Gjykatës së Lartë.