Neritan Sejamini: Mediat kryesore janë pjesë e elitës, nuk ka hapësirë për gazetari dhe për t’i shërbyer interesit publik

Analisti Neritan Sejamini, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, mbulimin deri në detaje banale të vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademaj në Kosovë nga mediat e Shqipërisë, u shpreh se mediat kryesore të vendit janë pjesë e elitës që bashkëpunon me qeverinë dhe i shërben asaj. Sipas tij, duke mos u marrë me politikë dhe duke mos bërë përgjegjëse qeverinë, media merret me këto lloj ngjarjesh për të mbushur programin, që nuk është në interesin e publikut.

Media ka për qëllim që të mbajë përgjegjëse qeverinë. Duke qenë se në Shqipëri mediat kontrollohen nga pushteti indirekt nuk mund të merren me politikë, media do të mbushë programin e vet se ne kemi media 24 orëshe dhe kur nuk merresh me qeverinë e mbush me gjëra të këtij lloji. Në Shqipëri janë 14 media 24/7. Këto të gjitha në ditë kanë të ftuar 250 ekspertë. E di sa kanë SHBA-të? 3+2, tre media lajmesh dhe 2 media lajmesh financiare. SHBA e kanë ekonominë 1000 herë më të fortë se ekonomia e Shqipërisë, popullsi 125 herë më shumë se e jona dhe ndikimi i tyre botëror nuk krahasohet. E di sa media duhet të kishte po të krahasohej me Shqipërinë? Nëse ne kemi 14 duhet shumëzuar me 2000, pra duhet të kishin 28 mijë media 24 orëshe të lajmeve.

Gjithë sistemi që kemi ndërtuar në Shqipëri është një individ i vetëm që qeveris me një elitë ekonomike të vendit, pjesë e të cilës janë edhe pronarët e mëdhenj të medias dhe qëllimi i tyre është t’i shërbejnë pushtetit. Në këtë sistem ku qeveria shkëmben pushtetin me mbështetjen ka pak hapësirë për gazetarët. Sa të jetë ky sistem nuk ka për të patur media të lirë. E vetmja shpresë janë gazetarë dhe individë që bëjnë investigime kurajoze, ka media të vogla, një pjesë me financime të huaja që bëjnë investigime dhe gazetari serioze, por mediat kryesore të vendit janë pjesë të kësaj elite dhe nuk do të gjesh hapësirë për gazetari dhe për t’i shërbyer interesit publik”, tha Sejamini.

Publikuar nga Publik Media