Naim Noka
Për një kohë të gjatë, qytetarët shqiptarë janë mësuar të dëgjojnë deklarata të forta dhe mesazhe të ashpra nga kreu i qeverisë. Fjala e tij ka qenë gjithmonë e prerë dhe e qartë: askush nuk është mbi ligjin. Por duket se kur ai që duhet të përballet me drejtësinë është Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, dhe një nga simbolikat e zullumit të pushtetit, ligji fillon të marrë nuanca fleksibile dhe të kontestohet me argumente emocionuese mbi etikën e përdorimit të provave.
Debati i fundit mbi sekuestrimin e celularëve të zyrtarëve të nivelit të lartë ka ndezur një valë reagimesh, por mbi të gjitha ka vënë në qendër të vëmendjes një pyetje thelbësore: A është e ligjshme që gjykata të urdhërojë sekuestrimin e një celulari si pjesë e një hetimi penal? Përgjigjja është e thjeshtë: Po! E ligjshme dhe e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me interes publik dhe hetime që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
A nuk është skandaloze që kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvend të shantazhojë një punonjëse brenda zyrës së Avokatit të Popullit për të mbrojtur Arjolën apo Erion Veliajn… pikërisht për celularin?!
Në çdo vend demokratik, sekuestrimi i një pajisjeje elektronike është një praktikë standarde kur ekziston dyshim i arsyeshëm se ajo përmban prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës. Përdorimi i celularëve për komunikime zyrtare dhe private nga drejtuesit shtetërorë nuk është sekret, as në Shqipëri, as në vendet e tjera. Por të shndërrosh këtë procedurë në një betejë personale për lirinë individuale është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga thelbi i problemit: Çfarë përmbajnë ato celularë dhe pse ka frikë dikush nga dorëzimi i tyre? Pse nuk ke thënë një fjali për celularet e Artan Hoxhës, Elton Qynos dhe dhjetëra gazetarëve?!
Në vend që të japim leksione mbi rëndësinë e privatësisë, ndoshta është koha të kujtojmë që zyrtarët publikë nuk janë thjesht qytetarë të zakonshëm me celularë privatë. Ata janë përfaqësues të shtetit, të cilët mbajnë përgjegjësi për çdo veprim, komunikim dhe vendim që marrin. Ata hanë dardha e kumbulla me bekimin e “shefit të madh” deri lart! Madje, edhe blerjet e fustaneve Erioni i ka bërë me celular!
Nëse ligji e kërkon, celularët duhet të dorëzohen pa ngurrim. Nuk mund të ketë dy standarde: një për qytetarët e zakonshëm dhe një tjetër për ata që zotërojnë pushtet politik.
Në një vend ku akuzat për korrupsion janë bërë pjesë e përditshmërisë, mbajtja e qëndrimeve selektive vetëm sa e përforcon perceptimin se pushteti është mbi ligjin dhe se disa janë të paprekshëm. Nëse një qytetari të zakonshëm gjykata i sekuestron telefonin, asnjë justifikim mbi privatësinë nuk e ndalon këtë procedurë. Përse duhet të jetë ndryshe për kryeministrin, ministrat apo çdo zyrtar tjetër të nivelit të lartë?
Hetimi i inceneratorëve dhe çdo hetim tjetër i ngjashëm është një test për sistemin tonë të drejtësisë, për vullnetin e institucioneve që të shkojnë deri në fund. Zoti Rama ka folur shpesh për drejtësinë e re, për nevojën për ndëshkim të atyre që kanë shkelur ligjin, pa përjashtime. Atëherë, pse kaq shumë rezistencë kur hetimi kërkon të shkojë deri në fund edhe në radhët e atyre që janë në krye të pushtetit?
Pse sulmohet gjyqtari Bani apo prokurori Dado? Pse “lukunia e lëpirësve” të tipit “Vari Karlo Bolino”, të cilëve u ra financuesi në burg, janë sulur të shqyejnë gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut? A nuk e mbajtën Berishën një vit në arrest shtëpie pa shkuar ende dosja në GJKKO? Pse Berisha nuk ka frikë të dorëzojë celularin?
Në një shoqëri të drejtë, sekuestrimi i celularit të një zyrtari nuk është kapërcim i kufirit, por hapi i parë për të kuptuar të vërtetën. Në fund të fundit, zoti Rama, as celulari nuk është mbi ligjin. Nëse ka diçka për të fshehur, atëherë ndoshta reagimi është i justifikueshëm. Por nëse jo, pse të mos ndihmohet drejtësia për të bërë punën e saj?
Videoja nervoze “Fuck you” live dhe përpjekja për të mbuluar të vërtetën “me shurrë”, siç thotë populli, nuk ndihmojnë situatën. Sepse, në fund të fundit, as i menderosur e as krenar nuk mund të jesh pasi ke kalëruar me qindra Erionë, Beqe, Peqe… buxhetin dhe ekonominë e një kombi me 2 milionë njerëz ndër më të varfrit e Europës.
Pse nuk del Ambasada Amerikane me një deklaratë për protestën e punonjësve të bashkisë para SPAK-ut? Po KLP dhe KLGJ, pse nuk mbrojnë gjyqtarin Bani dhe prokurorin Dado nga sulmet?
Mos vallë zoti Rama po provon stilin e vjetër: “Sa më shumë skandale, aq më e sigurt fitorja”? Ndoshta! Por këtë herë, nuk ka për të funksionuar teoria e sondazheve zalonjiste: “Pas çdo skandali, partia fiton më shumë!”
Në fund të fundit, celulari është vetëm një pajisje. Por e vërteta që mund të përmbajë ai… në këto 12 vite korrupsion, është shumë më e rëndësishme.