Nga Bolv Oil te Albstar, Simmons dhe Phoeni

Kush i mori paratë që duhej të ishin në arkën e shtetit?

AFERA “BANKERS”  GRABITJA E NAFTËS SHQIPTARE NGA NJË RRETH MILIONERËSH TË PAPREKSHËM!

Nga Amarildo Stoica

Skandali i “Bankers Petroleum” nuk është thjesht një aferë tatimore. Ai është manuali më i plotë i zhvatjes shtetërore të pasurisë kombëtare, i firmosur nga qeveri, i mbuluar nga burokraci, dhe i përfituar nga një grusht biznesmenësh të privilegjuar.

Tani që Prokuroria e Fierit ka ngritur zyrtarisht aktakuzat për mashtrim me TVSH-në, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash – është koha të hetohet jo vetëm “Bankers”, por edhe ata që përfituan përmes saj.

Sepse Bankers nuk vodhi vetëm – vodhi me të tjerë!

Kush janë përfituesit kryesorë?

Nëpërmjet kontratave nënkontraktuese, miliona euro janë devijuar nga Bankers drejt kompanive shqiptare që sot zotërojnë vila, stadiume, televizione, pika karburanti dhe biznese në çdo cep të vendit.

Bolv Oil  në pronësi të Behar Çukajt

Albstar  e kontrolluar nga Idajet Ismailaj

Phoenix, Simmons, Q. Sinaj, e të tjerë

Të gjithë këta figurojnë në skemat e zhvendosjes së fitimit nga Bankers te kompanitë që taksoheshin më pak dhe që ishin më “të afërta” me pushtetin.

Pse ndodhi kjo?

Sepse Bankers ishte e detyruar që tatimin mbi fitimin ta paguante 50%, por nënkontraktorët vendas vetëm 15%.

Dhe kështu nisi skema:

  1. Punohet me nënkontrata të fryra
  2. Fitimi zhvendoset te kompania shqiptare
  3. Tatimi paguhet me përqindje minimale
  4. Fitimet finalizohen në vila, restorante dhe stadiume

Dhe pyetja më e madhe që duhet bërë sot është:

Sa para mori Bolv Oil nga Bankers?

Sa kontrata janë dhënë pa garë?

Sa është diferenca mes çmimit real dhe atij të faturuar?

Sa taksa janë shmangur nga zhvendosja e fitimit nga Bankers te Behar Çukaj?

E thënë thjesht: Kush i mori lekët që duhet t’i kishte marrë buxheti i shtetit shqiptar?

Po Albstar?

E njëjta histori.

Sa mori Idajet Ismailaj nga marrëdhënia me Bankers?

Sa prej kontratave janë bërë me tender dhe sa me “dorë në xhep”?

Ku përfunduan miliardat e zhvendosura nga tatimi 50% i Bankers në 15%-shin e Albstar?

Dhe nëse Prokuroria e ka seriozisht, pas përgjigjeve, le të shkojë te Pika e Vogël e Kumbaros, ose te Stadiumi i Dukës dhe të rimarri paratë e popullit!

Phoenix, Simmons, Qemal Sinaj dhe të tjerët…

Nuk janë më thjesht emra të botës së biznesit. Janë aktë përfitues të parave publike, nëpërmjet kontratave të errëta, shërbimeve të fryra dhe bizneseve që pasurohen duke vjedhur shtetin në heshtje.

Në çdo nënkontratë të dyshimtë me Bankers ka një pagesë fiktive, një shmangie taksash dhe një dëm që nuk e paguan askush… përveç qytetarit shqiptar që blen naftë më shtrenjtë se gjysma e botës.

Ky është modeli “Bankers”  një korrupsion që zgjat 20 vjet

Një kompani që nxori 532 miliardë lekë nga nëntoka shqiptare dhe nuk pagoi asnjë tatim mbi fitimin. Një shtet që shiti vetëm 1% të naftës për vete. Një drejtësi që heshti për dy dekada. Dhe një rreth oligarkësh që pasuroheshin çdo ditë përmes këtij mashtrimi të madh.

Denoncimi i Prokurorisë është vetëm fillimi. Tani është koha për emrat:

  • Sa mori Bolv Oil?
  • Sa përfitoi Albstar?
  • Ku përfunduan paratë e popullit?

Nëse nuk hetohen nënkontraktorët, ky hetim është i gjymtë. Dhe drejtësia nuk është drejtësi  por bashkëpunëtore!

Publikuar nga Publik Media