Rasti i Ëngjëll Agalliut ngre dyshime për një skemë të re si ” DH Albania”
Në një histori që të kujton skandalin famëkeq të “DH Albania”-s, një emër anonim deri dje, Ëngjëll Agalliu, ish-punonjës i kompanisë “Salillari”, rezulton sot si përfitues i një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Shqipëri.
Në muajin shkurt 2024, Agalliu krijoi kompaninë “Albania Solar Power”, me një kapital qesharak prej 100 mijë lekësh të vjetra (rreth 10 euro). Vetëm pak muaj më vonë, kjo kompani pa histori financiare apo bilance të dorëzuara, u shpërblye me vendim të Këshillit të Ministrave për të ndërtuar dhe operuar për 49 vjet një park fotovoltaik me kapacitet 82 megavat në Boçovë të Fierit. Vlera e parashikuar e këtij investimi? Plot 80 milionë euro.
Çfarë përvoje apo garancish ka Agalliu për një projekt të tillë? Asnjë. Nga burime dhe verifikime në rrjet, rezulton se ai ka qenë punëtor asfalti në kompaninë “Salillari”. Pasi emri i tij u bë publik, profili i tij në Facebook u mbyll dhe ai në LinkedIn u ndryshua, duke u zhveshur nga çdo lidhje me të shkuarën.
Por historia ngre më shumë pyetje se përgjigje:
- Si ka mundur një kompani e themeluar pak muaj më parë dhe me kapital fiktiv të përfitojë një leje me rëndësi strategjike kombëtare?
- Si është siguruar toka në Boçovë ku do të ndërtohet parku? A ka pasur proces konkurrues dhe transparent?
- Kush fshihet realisht pas emrit të Ëngjëll Agalliut?
Ngjashmëria me rastin e DH Albania, ku një punonjës recepsioni u përdor si prestanome për të fituar tenderë publikë me dokumente të falsifikuara, është tronditëse. A është Agalliu një tjetër figurë që mbulon interesat e vërteta të grupeve klienteliste që kontrollojnë energjinë dhe ndërtimin në vend?